Lajme

Thaçi ia kërkon edhe njëherë Kurtit mandatarin për Qeverinë e re

Presidenti Hashim Thaçi i ka dërguar letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit për t’ia kërkuar mandatarin për Qeverinë e re.

Ai i ka shkruar se është në pritje të kërkesës që ia kishte përcjellë me datë 2 prill, për të propozuar kandidatin për kryeministër.

“Ju rikujtoj që Lëvizja Vetëvendosje në pajtim me Nenin 95 të Kushtetutës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 1 korriik 2014 dhe Vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 6 tetor 2019, është subjekti politik që ka fituar shumicën në Kuvend për të formuar Qeverinë dhe ka të drejtën e propozimit të kandidatit/es për të formuar Qeverinë”, ka shkruar ai, raporton koha.

Ai thotë se pas mocionit të mosbesimit ka zhvilluar takime konsultative me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend për të vlerësuar nëse është në interesin e partive politike formimi i Qeverisë së re apo shpërndarja e Kuvendit.

“Në këtë drejtim duke marrë parasysh aktet e sipërpërmendura ua kam dhënë mundësinë së si Lëvizje Vetëvendosje të propozoni kandidatin/en për kryeministër. Qytetarët e Kosovës dhe partitë politike të përfaqësuara në Kuvend me të drejtë presin funksionalizimin e Qeverisë së re dhe presin nga unë të dekretoj kandidatin/en e propozuar për kryeministër.”

“Edhe njëherë më duhet t’ua rikujtojë se mandati im kushtetutës më obligon që të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe sigurimin e emërimit të kandidatit për kryeministër për të formuar Qeverinë e re. Si president unë do të ndërmarr këtë veprim duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë sa më shpejtë Qeverinë e re”, ka shkruar tutje ai.