LajmeTë fundit

Thaçi i përgjigjet Vuçiqit për mobilizim të ushtrisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është përgjigjur presidentit serb Aleksandar Vuçiq për gatishmërinë e ushtrisë të Serbisë, pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në veri në aksionin kundër kontrabandës.

Në një deklaratë për media, Thaçi ka thënë se kjo është deklaratë populiste. Ai ka thënë se Vuçiqi e di që nuk mund të niset drejt Kosovës, duke shtuar se për çdo rast institucionet e Kosovës, përfshirë FSK-në janë në gjendje gatishmërie.

“Është deklaratë populiste. Deklaratë që kryesisht ka opinionin e brendshëm në Serbi. Presidenti i Serbisë e di mirë që s’mund të lëvizë në drejtim të Kosovës. Diçka që është e pamundur dhe e paimagjinueshme dhe ai vet është i bindur, por në çdo rast institucionet e Kosovës, duke përfshirë FSK-në janë në gjendje gatishmërie. Deklarimet populiste nuk janë kërcënime për luftë, por për opinionet e brendshme për të fituar simpati më të madhe në Serbi”, ka thënë Thaçi.