BotaKryesore

Terrorizmi, nga rrënjët e lashta tek transformimi në një mjet radikal për të imponuar ndryshime politike

Çfarë është ajo që e bën të dikë të etiketohet terrorist? Aktet e fundit të dhunës spektakolare, si bombat postare, dërguar kritikëve amerikanë anti-Trump, apo vrasjet masive të kanadezit Alek Minasian, tregojnë një hetizimin të madh në mesin e mediave, politikanëve dhe autoriteteve, për të etiketuar disa akte të dhunshme, të motivuara ideologjikisht si “terrorizëm”.

Këto hezitime, mund të krijojnë përshtypjen e gabuar se “terrorizmi” i është rezervuar vetëm dhunës politike, anti-perëndimore apo islamike. Ky është një konceptim i gabuar dhe i rrezikshëm.

S’ka dyshim që terrorizmi nuk është as një dukuri ekskluzivisht islamike, dhe as një fenomen i ri apo i kohëve të fundit.

Terrorizmi, ka shumë motivime ideologjike, dhe një histori të gjatë nga pas. Në fakt, mund të pohohet se terrorizmi modern, është një produkt i modernizmit perëndimor. Shumica e ekspertëve të terrorizmit, do të bien me gjasë dakord, se terrorizmi është një taktikë ideologjikisht neutrale, e përdorur për të arritur ndryshime politike, dhe në përdorim që nga kohët parahistorike.

Ai është neutral, edhe pse jo domosdoshmërisht i pranueshëm, në atë që është përdorur nga militantët, që përqafojnë shumicën e ideologjive politike, me përjashtim të pacifistëve, dhe shteteve autoritare si dhe liberale, si Britania e Madhe, Franca dhe SHBA-ja.

Ndonëse nuk ekziston një përkufizim i pranuar universalisht, ekziston një mirëkuptim rreth elementeve kryesore të tij. Terrorizmi është kërcënimi ose përdorimi i dhunës, është politikisht ose ideologjikisht i motivuar, dhe dhuna përdoret për të komunikuar një mesazh për ndryshime politike, përmes kërcënimeve ndaj individëve apo grupeve, përtej viktimave të menjëhershme. Me pak fjalë, terrorizmi kuptohet më mirë si një dhunë e përdorur, si një formë e komunikimit politik.

Megjithëse terrorizmi modern, pasoi lindjen e politikës moderne dhe të masmedias, dhuna terroriste është përdorur si një taktikë politike që nga kohërat e lashta. Zelotët hebrenj dhe Asasinët islamikë, ishin terroristët e lashtë. Ata e përdorën dhunën, për të komunikuar mesazhet e lirisë nga opozita, dhe rezistenca ndaj nënshtrimit.

Domethënia moderne e terrorizmit, dhe përdorimi i tij si një taktikë të qëllimshme politike, ndodhin me Revolucionin Francez. Gjatë Terrorit, Robespieri e përshkroi atë si një formë virtuoze të dhunës, që do të përdorej nga shteti i ri revolucionar demokratik, kundër armiqve të tij të brendshëm.

Pas kësaj, etiketat e terrorizmit dhe terroristëve, u përdorën nga gazetat e shekullit XIX, për të përshkruar frikësimin dhe dhunën, nga ana e shteteve kundër qytetarëve të tyre, si “terrorizmi i praktikuar nga policia” në Rusi, dhe “ sistemi shtypës i terrorizmit ushtarak” në Poloni.

Terrorizmi modern, që nënkupton përdorimin sistematik të dhunës kundër shtetit, dhe jo nga shteti, u shfaq në Evropë në vitet 1870. Personi që njihet në përgjithësi si terroristi i pare, ishte revolucionaria socialiste 26-vjeçare Vera Zasuliç, që vrau guvernatorin e Shën Petersburg në vitin 1878, në shenjë proteste ndaj represionit të shtetit rus, ndaj protestave politike në vend.

Në propagandën e saj për një revolucion shoqëror në Rusi, në përputhje me Revolucionin Francez, lëvizja revolucionare ruse, përdorte deri në atë moment vetëm “propagandë jo të dhunshme të fjalës”.

Atentati i kryer nga Zasuliç, e theu tabunë kundër përdorimit të dhunës, si një formë e komunikimit të mesazheve politike. Publiciteti që ai akt pati në mbarë botën, u tregoi aktivistëve politikë dhe grupeve, një formë të re të protestës politike, një “propagandë spektakolare të bazuar në vepra konkrete”.

Përpjekjet për atentate të ngjashme, u përdorën për herë të parë kundër qeverive dhe politikanëve evropianë. Por në fillim të viteve 1900, taktika e re politike u përhap në të gjitha kontinentet e botës, të njohura në Indi si “metoda ruse”, dhe në Kinë si “asasincionizëm”.

Praktika e re e dhunshme politike, u institucionalizua shumë shpejt, me shfaqjen e grupeve terroriste të organizuara. Në fillim lindi “Narodnaya Volya” (Vullneti i Popullit), një grupim revolucionarësh socialistë rusë dhe terroristësh të vetëshpallur, të cilët në vitin 1881 arritën të vrisnin Carin Aleksandrin II, përmes shpërthimit të një bombe.

Lufta e terroristëve rusë kundër shtetit represiv rus, ishte në një farë mase e pranuar, dhe madje admirohej nga disa vëzhgues perëndimorë. Për shembull, shkrimtari amerikan Mark Tuein,  deklaroi se nëse “qeveria ruse nuk mund të përmbyset ndryshe, përveçse me dinamit, atëherë duhet të falënderohet Zoti për dinamitin!”, transmeton bota.al.

Këta terroristë të parë modern, ishin si terroristët e ditëve të sotme, në aspektin që veprimet e tyre u bënë të mundura, nëpërmjet përdorimit të produkteve industriale të modernizmit perëndimor. Dhuna kishte marrë përmasa spektakolare, duke përdorur teknologjitë komerciale, siç janë revolverët e prodhuar industrialisht, dhe shpikja e dinamitit nga Alfred Nobel.

Mesazhe të tmerrshme politike u përhapën ndërkombëtarisht, përmes lajmeve të transmetuara nga kabllot telegrafike transatlantike, dhe të shtypura nga shtëpitë e mëdha botuese në shtypshkronjat që punonin me avull. Gjithashtu, shembujt e parë të njerëzve që u etiketuan “terroristë”, ishin pothuajse ekskluzivisht të rezervuara ndaj akteve të terrorizmit jo-perëndimor.

Për shembull, kur taktikat terroriste u përdorën kundër qeverive dhe civilëve në Evropën Perëndimore apo në SHBA, nga Fenianët dhe anarkistët, apo separatistët anti-kolonialë në Indinë Britanike, terrorizmi në përgjithësi nuk përmendej si një akt terrorist. Ndërkohë, një dhunë e tillë u përshkrua më shpesh në aspektin e zemërimit apo vrasjes.

Kjo përkundër faktit, që këto grupe përdorën të njëjtat taktika terroriste dhe teknologji si terroristët rusë. Terminologjia e re, ishte me sa duket e rezervuar për kauzën revolucionare ruse. Vetëm pas Luftës së Parë Botërore, këto forma të tjera të terrorizmit kundër qeverive perëndimore, filluan të përkufizoheshin përgjithësisht si terrorizëm. Ky është pikënisja e vërtetë, për formën më të njohur të komunikimit të dhunshëm politik, që ne e njohim dhe e përshkruajmë sot si terrorizëm.