LajmeTë fundit

Tërmkolli sulmon udhëheqjen e LDK-së: Të mjerë e frikacakë, shërbëtorë të së keqes

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, në prag të 30-vjetorit të themelimit të kësaj partie, nuk ka kursyer akuza të rënda në drejtim të lidershipit partiak.

“Në 30 vjetorin e saj, LDK-ja është gjithçka tjetër, përveç LDK identitare Rugoviane. Udhëheqja e saj e ‘ngushtë’ për më se 10 vite ia ka shpërfytyruar shpirtin dhe trupin e saj deri në ‘zhbërje’. E kanë shndërruar LDK-në në një shoqëri aksionare të tyre dhe bëjnë çfarë të munden e çfarë të duan me të”, ka thënë Tërmkolli, në një postim të saj në Facebook.

Parinë e LDK-së ajo e ka cilësuar si “të mjerë e frikacakë, shërbëtorë të së keqes”.

“E degdisën LDK-në nga partia e lëvizja më e fuqishme politike, prijëse e proceseve më të mëdha e më të rëndësishme të Kosovës, në një parti të uzurpuar e të ngulfatur për interesa personale e klanore të tyre dhe të nënshtruar ndaj çdo interesi të të tjerëve”, ka thënë Tërmkolli.

Ajo ka thënë se “është koha për ringritjen e LDK-së Rugoviane, LDK-së së interesave të Kosovës, LDK-së që punon për Kosovën, integrimet shqiptare e evropiane thellësisht perëndimore, LDK-së së guximit politik kombëtar, LDK-së së kulturës politike demokratike, LDK-së përbashkuese rreth ideve e idealeve shtetërore kombëtare, vlerave të lirisë dhe vlerave më të larta njerëzore”.

“Po të duam, po të bëhemi bashkë, po ta kemi përnjëmend, LDK-në tonë e bëjmë të tillë, për vendin tonë, për të ardhmen tonë!”, ka thënë Tërmkolli.