Lajme

Tërbohet Agim Veliu e quan Kurtin struc e frikacak, anti-kosovar e anti-amerikan, thotë se e tradhtoi vendin

Ministri tashmë i shkakruar i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu iu është kundërpërgjigjur kryeministrit Kurti, pasi ky i fundit e akuzoi për tradhëti dhe sabotim të detyrës.

Veliu përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se as ai dhe as LDK-ja nuk tradhëtojnë dhe se Albin Kurti është ai i cili e ka tradhtuar Kosovën me levizjen e tij anti-amerikane.

Veliu, gjithashtu ka shtuar se Albin Kurti e ka provokuar prishjen e koalicionit me LDK-në për shkak se ai i ka prishur raportet e Kosovës me ShBA-të dhe botën perëndimore.

Postimi i plotë:

Albin Kurti, kryeministri në largim i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes anti-kosovare dhe anti-amerikane, në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të fshehur, sipas zakonit ideologjik, arsyen e vërtetë të largimit të tij nga qeverisja e Kosovës, ka hedhur akuza ndaj meje.

Tradhtia dhe sabotimi që ai përdori duke u munduar ta arsyetoj veprimin e tij prej struci e frikacaku, janë atribute që i takojnë atij

As unë dhe as LDK-ja, por Albin Kurti ka tradhtuar dhe po tradhton Kosovën dhe ka sabotuar e po saboton Kosovën dhe qytetarët e saj.

Unë, Agim Veliu dhe LDK-ja nuk kemi tradhtuar e as nuk tradhtojmë asnjëherë. As nuk kemi sabotuar e nuk e sabotojmë asnjëherë Kosovën. As kur na kanë gjuajtur për të na vrarë e as kur na kanë vrarë. Pse kemi menduar dhe kemi thënë atë që mendojmë.

Sepse, edhe atëherë, edhe sot, jemi të bindur se kemi thënë e kemi bërë atë që ka qenë dhe është e vërteta.
E vërteta, ka qenë dhe është. Kosova është e lirë dhe e pavarur, për arsye të vullnetit e sakrificës së qytetarëve të saj dhe për shkak të partneritetit të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj euro-atlantik
Albin Kurti dhe oborri ideologjik i tij e dinë. Por, duhet ta dinë edhe qytetarët e Kosovës. Që Albin Kurti provokoi prishjen e koalicionit me LDK-në për shkak se prishi raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën perëndimore.