LajmeTë fundit

Presheva solidarizohet me viktimat e tërmetit në Shqipëri!

Presheva solidarizohet me viktimat e termetit në Shqipëri!

Komuna e Preshevës fton të gjithë qytetarët e komunës sonë që të solidarizohemi me vëllezërit tanë në Shqipëri, me rastin e termetit që ndodhi në mëngjesin e ditës së martë, ku përveç dëmeve materiale, kjo tragjedi fatkeqësisht morri me vete edhe viktima në njerëz dhe shkaktoi qindra të lënduar.

Në shenjë solidariteti dhe mobilizimi të përgjithshëm vëllazëror, Komuna e Presheves organizon aksion vullnetar në grumbullimin e ndihmave materiale, të cilat do t’u dërgohen familjeve të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore.

Ndihmat tuaja mund të dorëzohen në zyrat e NP Moravica në rrugën “Qemal Shehu” në Preshevë (afër stadiumit të qytetit), në formën e produkteve ushqimore e higjeniko-sanitare, rrobe, batanije, çarçafë, dyshekë për fjetje, tenda, etj.

Aksioni i grumbullimit të ndihmave fillon sot, ditë e martë 26.11.2019 me fillim në ora 15:00 deri ditën e enjte 28.11.2019, ora 14:00.

Për informata të detajuara, mund të shkruani në faqen zyrtare të Facebookut të Komunës së Preshevës.

Me shpresë që ky aksion të jetë sa më i suksesshëm dhe t’u shërbejë familjeve në nevojë, paraprakisht ju falënderojmë.

Shqipëri jemi me ty!