LajmeShqipëriTë fundit

Konfirmohen 16 persona të vdekur nga tërmeti, mbi 600 të lënduar, shumë të bllokuar nën rrënoja

Një tërmet i fuqishëm më magnitudë 6,3 goditi Shqipërinë rreth orës 3:54 të mëngjesit të së martës, ndërsa një tjetër me magintudë 5,5 tronditi vendin pak pas orës 07:00. Sizmologët thanë se i pari ishte tërmeti më i fortë që ka goditur vendin që nga viti 1926.

Ashtu si atëherë, edhe tërmeti i sotëm epiqendrën e kishte në Durrës. Bilanci deri në orën 15:30 është tragjik, ku shifrat zyrtare flasin për 16 viktima, ndërsa shumë persona të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Durrësi është pa dyshim vendi më i goditur, por edhe njësia administrative Thumanë pranë Fushë-Krujës, ku edhe është shënuar edhe numri më i madh i viktimave.

Nga tërmeti janë dëmtuar shumë godina, pallate dhe shtëpi, ndërsa nuk kanë shpëtuar edhe objekte historike e kulturore, si kalaja e Krujës, e Durrësit, por edhe ajo e Prezës.