Të rinjtë preshevar në hapje të Bibliotekës Muze të qytetit
Në kohën kur shumica e të rinjve shqiptar shohin mundësitë për punë në vendet perëndimore, në Preshevë, një grup i të rinjve nga organizata jo-qeveritare “New Ways” apo “Rrugë të Reja”, ka nisur renovimin e shtëpisë ku ka jetuar profesori i parë i gjuhës shqipe në Preshevë, Adem Ahmeti, shtëpi e cila për lexuesit, vizitorët dhe qytetarët e Preshevës do të rihapet si Bibliotekë-Muze në fund të muajit Prill.
Adem Ahmeti ishte një ndër intelektualët e parë të komunës së Preshevës, njëherit si aktivist, veprimtarë e profesor i parë i gjuhës dhe letërsisë Shqipe në Gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë.
Ishte dhe ngelet një ndër figurat më të respektuara për bindjet e tij progresiste, dhe angazhimin e tij për te drejtat e shqiptare në atë rajon, si ide universale e te drejtave te njeriut.
“Kultura duhet të ketë status të lirë, të mos ketë kurrfarë kufizimesh artificiale, kurrfarë pengesash, sepse kultura e mirëfilltë i takon të gjithë Botës, i takon gjithë njerëzimit. Çdo kulturë e veçantë nacionale duhet të ketë hapësirë të lirë që të gjej lexues, adhurues e shijues të veht” – citonte Ahmeti në intervistën e tij në vitin 1996.
Në vitin shkollor 1961/1962, në Preshevë u hapen paralelet e para të gjmnazit ‘Boro Stankoviq’ të Vranjës.
Shumica e lëndëve mësimore zhvilloheshin në gjuhën serbe për shkak të mungesës së kuadrit shqiptarë.
Ndërsa, në vitin 1968 me propozimin e disa profesorëve shqiptar gjimnazi emërohet me emrin ‘Skenderbeu’, i cili edhe sot mban këtë emër, Ahmeti ishte profesori i parë i gjuhës shqipe në atë kohë.
Drejtori i organizatës “New Ways – Rrugë të Reja” Altin Arifi, një ndër nismëtarët e këtij projekti shprehet : “Iniciativa rreth këtij projekti ka filluar në fillim të këtij viti, deri sa për hapjen e saj, shpresojmë ta përfundojmë në fund të muajit prill.”
Rilind Shaqiri, koordinator I Bibliotekës-Muze “Adem Ahmeti” thekson se ideja ka ardhur si nevojë për hapësira ndryshe për zhvillimin e mendimit kritik dhe emancipimit shoqëror në qytet:
“Bindjet progresiste të Adem Ahmeti-it gjatë asaj kohe të vështirë për shqiptarët na shtynë që te nisim këtë iniciative për hapjen e Bibliotekës-Muze, që mendimet e tij për një shoqëri të hapur, qytetare e kulturore të jenë në vazhdimësi vlerë e qytetit të Preshevës.”
Iniciativa është përkrahur nga shumë aktivist e intelektual të komunës së Preshevës dhe rajonit.