“Të pandëshkuarit e ’97-s planifikojnë trazira dhe përgjakje të reja”
Ekskluzive/ Nga arkivi i dosjeve të deputetit Spartak Braho (II)
Nuk ka më iluzione për shkaktarët e trazirave dhe tragjedisë kombëtare të vitit 1997. Në këtë raport të hollësishëm të Kolonel Astrit Jaupit mbi rrjedhën e ngjarjeve të atij viti të zi jepet me fakte dhe me emra konkretë kronologjia e shkatërrimit të ushtrisë shqiptare, dëmet kolosale që u shkaktuan, urdhrat makabër që janë dhënë për bombardimin e urave të rëndësishme në jug të vendit, madje dhe mbi popullsinë civile. Në këtë përshkrim dhe analizë të hollësishme jepen edhe emrat e autorëve të tragjedisë, kush ishin koka e krimit të përbindshëm. Ata ishin Safet Zhulali, ish-ministri i Mbrojtjes dhe Bashkim Gazidede dhe eksponentë të tjerë që udhëhiqnin operacionin kundër Jugut të vendit. Por mbi ta, urdhërdhënësi dhe ideatori i tragjedisë ishte Sali Berisha.
E pyes deputetin Braho se pse në një masë të konsiderueshme është krijuar iluzioni se Zhulali nuk ka qenë aktiv në operacionet kundër jugut dhe e ka kundërshtuar komandantin e tij të përgjithshëm, pra Berishën, dhe ai përgjigjet:
– Ky është një iluzion i gabuar, ose më saktë i sajuar nga segmente të caktuara. Faktet, sikurse dalin në këtë analizë të Kolonel Jaupit, tregojnë të kundërtën, se Zhulali ka qenë po aq i egër sa dhe Gazidedja, Agim Shehu e të tjerë. Arratisja tij drejt Italisë nuk ia rregullon aspak biografinë, përkundrazi është një dezertim i pastër dhe si i tillë, ish-ministri i Mbrojtjes duhej të dilte para gjyqit të popullit, bashkë me Sali Berishën, Gazideden dhe kriminelë të tjerë që livadhisin të lirë, madje në strukturat e larta të PD-së edhe sot e kësaj dite…
– Ju i konsideroni ata kriminelë, ndërsa ata nuk janë dënuar nga asnjë gjykatë e vendit. A nuk kanë të drejtë ata ta quajnë këtë një provokim që u bëni pas 22 vjetësh?, e pyes zotin Braho.
– Ata mund të mendojnë gjithçka dhe të mohojnë gjithçka, por është fakt se një popull i tërë i tregon me gisht si kriminelë që kanë lyer duart me gjak dhe që i shkaktuan këtij vendi dëme kolosale dhe mbajnë përgjegjësi për shkatërrimin e ushtrisë dhe çuarjen e vendit në pragun e luftës civile. Ata gjithashtu mund të justifikohen se nuk janë dënuar nga gjykata. Këtë e kemi trajtuar edhe herë të tjera në intervistat e mëparshme që kemi bërë. Kjo nuk e lehtëson aspak pozitën e tyre. Janë shumë arsye që në këtë vend gjatë këtyre tridhjetë vjetëve është kultivuar kultura e pandëshkueshmërisë. Ndaj dhe ata mendojnë dhe planifikojnë tragjedi të tjera në këtë vend, trazira dhe përgjakje të reja…
– Mos e kini fjalën për protestën e 16 shkurtit?
– Jo vetëm për atë posaçërisht. Por faktet janë kokëforta dhe gjuha e urrejtjes që përdorin Berisha dhe Basha tregojnë se ata e ëndërrojnë konfliktin, i fryjnë përçarjes dhe destabilitetit. Unë nuk besoj se ata do të jenë sërish në gjendje të përsërisin të kaluarën e hidhur të tyre. Synimi i vetëm i tyre është të shpëtojnë të pandëshkuar dhe të pengojnë sa më shumë proceset. Sidoqoftë, dua ta mbyll këtë pjesë të bisedës fjalët e Julius Fuçikut, intelektualit dhe heroit çek të Luftës së Dytë Botërore: “Njerëz, unë ju dua! Jini vigjilentë!”