Lajme

Takohen Mustafa e Haradinaj, flasin për qeverinë e re dhe koronavirusin

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë zhvilluar sot gjatë ditës një takim në Prishtinë.

Kreu i LDK-së Isa Mustafa dhe ai i AAK-së Ramush Haradinaj janë takuar mëngjesin e së mërkurës në përpjekjet e tyre për të formuar Qeverinë e re.

LDK-ja është në pritje të mandatit nga presidenti Hashim Thaçi.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së,Besnik Tahiri, ka konfirmuar takimin Mustafa – Haradinaj. Ai ka thënë takimi është zhvilluar me ftesë të Isa Mustafës.

“Ishte takim pune, diskutuam për krizën institucionale. U dakorduam që të kemi Qeveri të re dhe do të merret me detyrat parësore, luftën kundër koronavirusit”, tha Tahiri. “Në këtë takim nuk kemi diskutuar asgjë për çështjen e ndarjes së ministrive e as për çështjen e presidentit”.

Kreu i LDK-së Mustafa ka thënë të martën se ende nuk kanë pranuar ftesë për takim apo letër nga presidenti Thaçi për çështjen e mandatarit.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur që të bëjë koalicion me AAK-në e Nismën dhe minoritetet, ndërkohë VV-ja si parti fituese e zgjedhjeve të fundit ka paralajmëruar se do ta çojë në Kushtetuese vendimin e presidentit Thaçi, nëse ia jep mandatin LDK-së.