Takimi i parë Kurti-Vuçiq në Bruksel do të zhvillohet në muajin maj
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen muajin tjetër në kuadër të rifillimit të dialogut mes dy vendeve.
Lajmin e ka bërë të ditur Xheraqin Tuhina, përmes një postimi në Twitter, e cila është korrespodente nga Brukseli.
“Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të vizitojnë ndaras Brukselin javën e ardhshme për të folur me zyrtarët më të lartë të BE-së. Ata do të kthehen në kryeqytetin evropian shumë shpejt, përderisa takimi i parë mes tyre në kontekstin e dialogut do të organizohet në maj”, shkroi ajo.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti javën e ardhshme do të udhëtojë për një vizitë zyrtare në Bruksel.
Nga Qeveria e Kosovës kanë konfirmuar për Gazetën Online “Reporteri.net” se Kurti do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka bërë të ditur se gjatë vizitës në Bruksel, Kurti nuk do të ketë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili po ashtu gjatë javës së ardhshme pritet të qëndrojë për vizitë zyrtare në Bruksel.
“Kryeministri Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel kah mesi i javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë takim në mes kryeministrit Kurti dhe z. Vuciq”, ka thënë Kryeziu