Tahiri kundër shkarkimit të Osmanit: Ky është momenti më i rëndë në histori të LDK-së
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka dalë kundër propozimit për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares së LDK-së. Ai e ka vlerësuar këtë si momentin më të rëndë në histori të partisë.
“Lidhja Demokratike e Ibrahim Rugovës nuk e ka pasur praktikë të përjashtojë njerëzit e vet aq më pak, Nënkryetaren e vet, Kandidaten e parë grua për Kryeministre për shkak të mendimit ndryshe. Në ADN e LDK-së është liria e mendimit, liria e individit. Dr. Vjosa Osmani ka mbrojtur parimet për të cilat ka kërkuar besimin e votuesve të LDK. Të gjithë e kemi ditur që Vjosa nuk i ndryshon parimet e saja, të gjithë e kemi kërkuar në krye të listës së LDK dhe të gjithë kemi përkrahur. Sot, si anëtar i KP të LDK, Kryetar i Vushtrrisë e nënkryetar i Degës së LDK-së në Vushtrri, nuk mund të përkrahi përjashtimin e Vjosa Osmanit. Prandaj sapo votova JO”, ka thënë ai, pas propozimit që kreu i LDK-së, Isa Mustafa, bëri për shkarkimin e Osmanit dhe caktimin e Avdullah Hotit në postin e nënkreytarit të partisë.
Tahiri është shprehur se s’po mundet të besojë se “një grup i ngushtë në LDK po kërkon shkarkimin e një gruaje intelektuale”.
“Ky është momenti më i rëndë në historinë 30 vjeçare të LDK. Si qytetarë i Kosovës, anëtar i LDK, si babë i 3 vajzave, nuk po mundem të besoj që një grup i ngushtë në LDK po kërkon përjashtimin e një gruaje intelektuale, parimore e që e ka mbështetjen e anëtarëve të LDK dhe të qytetarëve të Kosovës. LDK që e ka themeluar Ibrahim Rugova dhe intelektualët më të mëdhenj të kohës, është më e madhe e më e fuqishme se ky grup i ngushtë. LDK ka për t’u rikthyer te gjeneza e vet, bashkë me Vjosën e bashkë me ata qe kanë në ADN parimin e lirisë së mendimit”, ka përfunduar ai në postimin e tij në Facebook.