Sylvinho do të mbetet trajneri i Shqipërisë
Edhe pse nga kjo e martë, Sylvinho nuk është zytarisht më trajner i Kombëtares së Shqipërisë, braziliani thuhet se ka arritur akordin me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për rinovimin dyvjeçar.
Sylvinho u vendos në krye të stolit kuqezi në janar të vitit 2023 dhe ishte nën kontratë me FSHF-në deri në korrik 2024.
Pas shumë thashethemeve për të ardhmen e tij, Sylvinho duket se ka vendosur të qëndrojë te Shqipëria, një lajm i cili konfirmohet nga “Top Channel”. Ai do të nënshkruajë kontratë deri në verën e vitit 2026.
50-vjeçari ka drejtuar kuqezinjtë në 16 ndeshje, ku ka arritur shtatë fitore, katër barazime dhe pesë humbje. Në ndeshje zyrtare ai numëron pesë fitore, katër barazime dhe tre humbje, dy prej të cilave në Euro 2024 përballë Spanjës dhe Italisë.
Tani pritet të fillojë një aventurë e re për Sylvinho-n dhe Shqipërinë teksa ata përgatiten për fushatën në Nations League dhe kualifikueset e Kupës së Botës.
Shqipëria është pjesë e Grupit B1 në Nations League së bashku me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Republikën Çeke. Ndeshjet do të luhen mes shtatorit dhe nëntorit 2024.
Pas Nations League, Shqipëria do të fokusohet te kualifikueset e Kupës së Botës 2026, shorti për të cilat ende nuk është hedhur.
Në Evropë, faza e grupeve kualifikuese do të përfshijë 12 grupe me katër ose pesë skuadra që luajnë ndeshje në shtëpi dhe jashtë midis marsit dhe nëntorit 2025.
12 fituesit e grupeve do të kualifikohen drejtpërdrejt për Kupën e Botës 2026.
12 nënkampionët dhe katër fituesit të grupeve nga Nations League 2024-25, të cilët përfundojnë jashtë dy të parave të grupit të tyre kualifikues, do të kalojnë në një fazë play-off në mbarë konfederatën në mars 2026.