Sveçla: Kriminelët që marrin urdhra nga Beogradi do të përballen me drejtësi
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se në tri ditët e fundit janë arrestuar tre të dyshuar, për siç ka thënë ai, sulmet brutale dhe kriminale ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu i vendit.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se i arrestuari i tretë i radhës, është Urosh Vukasinoviq.
“Këta kriminelë, të cilët po marrin urdhra për këto sulme nga Beogradi, tashmë do të përballen me drejtësinë. Nuk do të ndalemi, çdo përgjegjës për dhunën dhe aktet kriminale ndaj gazetarëve, do të arrestohet. Republika e Kosovës është vend shembull i funksionimit të demokracisë, dhe nuk do të lejojmë askënd, me asnjë çmim të sulmojë qytetarët, të frikësojë raportimin e gazetarëve dhe cenojë rendin tonë kushtetues”, ka thënë ai.