Sveçla i kërkon Serbisë t’ia dorëzojë Kosovës sulmuesit e ikur
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka kërkuar Serbisë që t’ia dorëzojë Kosovës personat që sulmuan Policinë e Kosovës, që siç tha ai, t’iu pergjigjen autoriteteve të drejtësisë për aktet terroriste.
Ai ka deklaruar të hënën para mediave se nga aksioni i së dielës, të paktën 6 terroristë kanë mbetur të plagosur dhe po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit.
“Asnjë person civil s’është lënduar nga ky aksion, e sipas informatave të deritashme, 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi pazarit. Kërkojmë nga Serbia ata t’ua dorëzojë menjëherë autoriteteve të Kosovës që t’iu përgjigjen drejtësisë për aktet e tyre terroriste. Po ashtu, edhe çfarëdo pjesëtari i këtij grupi që ka arritur të ikën në Serbi, kërkojmë nga Serbia të dorëzojë”, ka thënë ai.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, plani i Serbisë ishte përshkallëzimi i situatës, por sipas tij, ka dështuar.
“Plani i tyre për të përshkallëzuar situatën ka dështuar. Së paku janë 3 të vrarë, të gjithë me uniforma e me pajisje ushtarake, e janë arrestuar 2 të tjerë, e 4 që kanë qenë në rolin mbështetës në këtë aktivtet. Njëri nga të arrestuarit ka qenë i plagosur, e atij i është dhënë ndihma e parë, e edhe në Spitalin e Mitrovicës dhe në QKUK”, ka shtuar ai.