Surroi: Serbët e dinë se Kurti nuk është i korruptuar
Elitat politike në Kosovë deri tash “kanë rrëmbyer resurset që u takonin popullit”, ka thënë publicisti Veton Surroi gjatë një interviste për gazetën gjermane Tagezeitung. Këtë, ka shtuar ai, pushteti i Albin Kurtit do të duhej ta ndryshojë, transmeton Koha.net.
Negociatat me Beogradin janë prioritet për Prishtinën, meqë “në mes të Serbisë dhe Kosovës as përafërsisht nuk sundon paqja. Lufta nuk ka përfunduar”, ka vlerësuar publicisti i njohur nga Kosova, Veton Surroi në intervistën për berlinezën Tagezeitung. Ai shprehet i bindur se Albin Kurti, kur të bëhet kryeministër, do të përmbushë premtimin dhe fillimisht të analizojë se çka është zbatuar nga marrëveshjet e deritashme në dialogun me Beogradin.
Surroi ka shtuar se një nga pengesat për zhvillimin e Kosovës është edhe “Serbia me politikën proruse, armatimin dhe ndërhyrjet në zhvillimet në Kosovë”
“Këtë e kanë dëshmuar edhe zgjedhjet e fundit në tetor: Beogradi ndërhyri drejtpërdrejti në rrjedhën e zgjedhjeve në veri të Kosovës”, konsideron ky publicist.
Surroi ndërkaq ka thënë se komuniteti serb në Kosovë e kupton se Kurti nuk është njeri i korruptuar.
“Ai e flet sinqerisht atë që e ndien dhe e mendon. Kjo mënyrë e komunikimit është plotësisht e re në Kosovë”.
Pyetjes së gazetares se si është puna “me fantazitë shqiptaromëdha” që vazhdojnë të jenë të gjalla në Vetëvendosje, partinë që e drejton Kurti, Veton Surroi iu përgjigj: “Njëmend më herët flitnin për këtë. Por mendoj se tani fokusi i qeverisë do të jetë që Kosova të kthehet në shtet normal”
Surroi, themelues i mediumit më me ndikim të Prishtinës, Koha Ditore, ka thënë se qytetarët kanë pritshmëri të mëdha nga qeveria që pritet ta formojnë Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Do të ishte qeveria e parë e Kosovës pa partitë e ish-komandantëve të UÇK-së.
“Tani shtetin e kontrollojnë grupe të ndryshme që shpesh janë në lidhje me krimin e organizuar. Qeveria e re duhet që nga Kosova të krijojë një demokraci parlamentare funksionale”, është shprehur Surroi.
“Elitat politike deri tash kanë rrëmbyer resurset që i përkasin popullit. Ua kanë vjedhur qytetarëve perspektivën në këtë vend”, ka vlerësuar Veton Surroi.