Lajme

Stoltenberg: Historia e ka dëshmuar se bombardimi i RFJ-së ka qenë i domosdoshëm e legjitim

Historia e ka dëshmuar se bombardimi i RFJ-së në vitin 1999 ka qenë i domosdoshëm e legjitim, sepse e ka ndaluar dhunën, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.


Refugjatët kanë mundur të kthehen në shtëpi, ndërsa KFOR-i ka ndihmuar që në Kosovë të krijohet ambient i sigurt për të gjithë, duke përfshirë edhe komunitetin serb, ka thënë ai.

“E di se NATO ende shkakton polemika në Serbi. SHumëkush ende ka kujtime të dhimshme për fushatën e bombardimeve të vitit 1999. Edhe më vështirë e kanë ata të cilët kanë humbur të dashurit e tyre. Secila jetë e pafajshme e humbur është tragjedi. Dhe na vjen thellësisht keq për këtë”, ka thënë Stoltenberg për gazetën serbe “Politika”.

Ai ka ripërsëritur se fushata nuk ka qenë e drejtuar kundër popullit serb. “Përkundrazi. Qëllimi k aqenë që të mbrohen civilët më gjerë në regjion, ashtu që të ndalohen aksionet e regjimit të Milosevicit, të cilin bashkësia ndërkombëtare e kishte dënuar. Kurrë nuk guxojmë ta harrojmë të kaluarën, por prej saj duhet të mësojmë dhe ta lëmë prapa vetes”, ka thënë Stoltenberg.

Ai ka thënë se ajo që Serbia dhe NATO bëjnë nëpërmjet partneritetit është e dobishme për NATO-n, Serbinë dhe regjionin dhe ka shtuar se bashkëpunimi i Serbisë me NATO-n nuk është në kundërtshtim me neutralitetin e saj ushtarak.