Specialja ka ftuar për intervistim edhe Bislim Zyrapin
Përveç kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, mësohet se Gjykata Speciale ka ftuar për intervisitm edhe Bislim Zyrapin, aktualisht këshilltar i presidentit Hashim Thaçi.
Lajmin për ftesën ndaj Zyrapit, i cili ka qenë lart në hierarkinë e UÇK-së e ka dhënë i pari i shtetit, Hashim Thaçi.
“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi”, ka thënë ndër të tjera Thaçi.
Nga kjo nuk bëhet e qartë se në çfarë cilësie është ftuar ish-shefi i Shtabit.
Thaçi po ashtu ka treguar se janë ftuar disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së, pa përmenduar emra.
Ndërkohë, vetë Ramush Haradinaj, pa paralajmërim ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, duke treguar se është ftuar nga Specialja në cilësinë e të dyshuarit.
Kujtojmë se deri tash Gjykata Speciale kishte prekur vetëm në disa nivele më të ulëta në hierarkinë e UÇK-së, ndërsa Zyrapi e Haradinaj janë të ftuarit e parë nga kupola e ish-UÇK-së.