Sot promovohet libri për Masakrën e Tivarit ‘Dimri i Gjatë i Vitit 1945 Tivari”
Sot do të promovohet libri “Dimri i Gjatë i Vitit 1945 Tivari” i autorëve Anna Di Lellio dhe Dardan Luta, shkruan KultPlus.
Pas çlirimit të Jugosllavisë nga okupimi nazist në vjeshtën e vitit 1944, Marshall Tito bëri thirrje për mobilizim në masë me qëllim që të thyente forcat ushtarake gjermane në frontin Syrmian dhe të pushtonte qytetin italian të Triestes. Me mijëra burra të rekrutuar me dhunë nga i tërë vendi, duke përfshirë edhe shqiptarë nga Kosova, u dërguan në front në një marshim tragjik që la pas një sërë të sëmurësh dhe të plagosurish për vdekje. Më 30 mars 1945, kur rekrutët shqiptarë të paarmatosur, arritën në qytetin e Tivarit (Bar) në bregdetin Adriatik, partizanët malazezë i vranë qindra syresh.
Libri që do të promovohet nesër është një histori e ilustruar e asaj masakre, histori e cila është varrosur thellë në arkiva, e shtypur, e neglizhuar apo e manipuluar nga historianët, gjithmonë e heshtur, ndonëse kurrë e harruar.
“E tregojmë këtë rrëfim përmes zërit të Shaban Pajazitit dhe rekrutëve të tjerë nga Çubreli (Skënderaj), të cilët mbijetuan për t’i treguar historitë e tyre. Burimet arkivore dhe të shkruara japin dëshmi dokumentuese shtesë të rëndësishme, por kontestuese dhe janë një përkujtues i qartë se historia zyrtare nuk është kurrë e plotë pa dëshmitë e pjesëmarrësve”, shkruhet në njoftim.
Ky libër i publikuar nga Iniciativa për Histori Gojore, 2019 do të promovohet nesër duke filluar nga ora 19:00 në Dit’ e Nat’