Lajme

Sot përurohet pikëkalimi i përbashkët Kosovë-RMV në Bllacë, një polic i vetëm do të kontrollojë qytetarët

Qeveria në detyrë e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot do të përurojnë pikëkalimin e përbashkët kufitar “Hani i Elezit – Bllacë”.

Ceremonia do të mbahet nga ora 11:00 brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.

Gjatë kësaj ceremonie mund të ketë ngadalësim të qarkullimit në këtë pikë kufitare, bëri me dije dje Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

“Me këtë rast, njoftohen të gjithë qytetarët që planifikojnë të shfrytëzojnë këtë pikë kufitare, se nga ora 10:00 deri në ora 12:00, do të ketë ngadalësim të qarkullimit”, u tha në njoftim.

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, në shkurt kishte njoftuar se në prill të këtij viti do të fillojë funksionimi i sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar, i njohur si “One Stop Shop”, në pikën e Bllacës, që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën.

Sipas Toshkovskit, ky sistem do të thjeshtojë procedurat kufitare, duke lejuar që qytetarët e të dyja vendeve të kontrollohen nga një polic i vetëm doganor, duke reduktuar “kohën e pritjes dhe duke lehtësuar kalimin e kufirit mes dy shteteve”.

Në kuadër të një platforme të përbashkët ‘cloud’, të dhënat ndahen mes dy ministrive përkatëse, me qëllim që të mundësohet hyrja e qytetarëve të Kosovës në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas, vetëm përmes konstatimit nga një zyrtar policor”, kishte thënë Toshkovski, siç raportonte REL.

Ai kishte dhënë prillin si muajin e fundit kur do të vihej zyrtarisht në funksion kjo.

Këto deklarata ministri i kishte bërë gjatë një vizite në pikën kufitare të Bllacës, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti dhe homologun e tij nga Kosova, ministrin tashmë në detyrë Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla kishte thënë se kjo do t’ia reduktojë kohën qytetarëve që kalojnë kufirin.

“Për qytetarët e të dyja vendeve është shumë me rëndësi që kalimi të jetë sa më i shpejtë. Për organet e shtetit është që ato të jenë sa më të sigurta. Patjetër se ne po i shfrytëzojmë të arriturat e fundit të teknologjisë që të zvogëlojmë burokracinë, por jo në kurriz të sigurisë, por në të mirë të kohës së qytetarëve”.