Lajme

Sot në Kosovë “Protestë n’ballkon” kundër politikës

“Protestojmë n’ballkon!”, është thirrja e sotme për qytetarët e Kosovës nga një grup aktivistësh.

Replike, një faqe e krijuar në Facebook, përmes një njoftimi për media u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës, që sot me fillim nga ora 20:00, të dalin nëpër dritaret dhe ballkonet e tyre dhe të krijojnë zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme si (çelësa ose tenxhere dhe lugë).

“Revolta dhe protestimi prej ballkonit e ka një simbolikë të madhe dhe historike tek qytetarët e Kosovës. Gjatë viteve të 90-ta, qytetarët e Kosovës, nga ballkonet e dritaret e tyre kanë përdorur mjete të ndryshme të cilat krijojnë zhurmë për të shprehur revoltën ndaj sistemit shtypës të asaj kohe”, thuhet në njoftimin që është shpërndarë në rrjete sociale, transmeton Koha.

Sot, thuhet tutje në njoftim, qytetarët e Kosovës në kohë pandemie po përballen me interesa personale dhe partiake të politikanëve të Kosovës.

“Në një kohë kur të gjithë do të duhej të ishin të bashkuar dhe të unifikuar që të punojnë në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga pandemia COVID-19, politikanët e Kosovës po keqpërdorin pushtetin e tyre politik për të krijuar drama dhe pasiguri në një kohë kur vendi duhet të jetë i mobilizuar karshi pandemisë së virusit. Sot më 19 mars përmes daljes të secilit prej neve në ballkon ose dritare në ora ‪20:00 për 5 minuta në të gjithë Kosovën po krijojmë zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme si (çelësa ose tenxhere dhe lugë) për të kërkuar reflektim nga të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit institucional në Kosovë ndaj situatës së krijuar dhe panikut që është duke e përjetuar çdo shtetas i Kosovës”, përfundon njoftimi.