Sot bëhen 75 vjet nga Masakra e Tivarit
Rrëfim nga i mbijetuarit Hamdi Bucaliu
Ishte lodhur dhe dërrmuar pas dhjetë ditë ecjesh e fjetjesh nëpër kodra e fusha. Kishte parë me sytë e vet vrasjen e rreth 150 shokëve në breg të Bunës në Shkodër. Kishte shkelur nëpër shtresën prej pesë centimetrash të gjakut të ngrirë në fabrikën e duhanit në Tivar në pranverën e vitit 1945.
“Ma nuk iu frigojshmi as dekës”, kujton Hamdi Bucaliu (92), gjysmështrirë në shtrat në shtëpinë e tij në Ferizaj. Muajve të fundit sëmundja ka nisur t’ia marrë fuqinë. Të kthjellëta i ka kujtimet prej masakrës masive të Tivarit të kryer prej partizanëve jugosllavë të Josip Broz Titos.
Në luftë pa armë
Për krimin e kryer nga partizanët e Brigadës së dhjetë malazeze, historianët e bëjnë përgjegjës edhe Enver Hoxhën. Ai kishte lejuar partizanët jugosllavë t’i transferonin nëpër territorin e Shqipërisë shqiptarët e mobilizuar dhunshëm nëpër qytetet e Kosovës dhe të Maqedonisë. Të mbijetuarit e masakrës së Tivarit kanë dëshmuar sesi rrugës nëpër Shqipëri, partizanët serbë kishin ekzekutuar shqiptarët nëpër kolona. Bucaliu thotë se mbi dhjetë shkodranë të armatosur ishin bërë sebep që ai sot të mund ta rrëfejë rrugëtimin e tij.
Në marsin e vitit 1945, Bucaliu dhe disa shokë nga Sllakoci malor i Gjilanit i ishin përgjigjur thirrjes për mobilizim të përgjithshëm për luftimin e nazistëve gjermanë, që tashmë kishin nisur të tërhiqeshin para se të merrnin edhe goditjet e fundit e forcave aleate. Të dhënat burimore ushtarake jugosllave, tregojnë se u mobilizuan dhe u dërguan për në Frontin e Adriatikut 13.323 shqiptarë, shkruan historiani Uran Butka, autor i librit “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”, botuar pranverën e vitit të kaluar.
“Dhjetë ditë na kanë mbajtë në kazermë të Prishtinës. U bajshin kishe po na ushtronin para se me na nisë. Nuk e kemi ditë kah po na çojnë. Ka pas fjalë se na çojnë në Serbi, por kur u nisëm për Lipjan, e morëm vesh se po na çonin n’Shipni”, rrëfen Bucaliu, i cili në shtëpi kishte lënë gruan dhe të birin. Ai ishte pjesë e eshalonit (kolonës) të tretë të prirë prej Brigadës së Prokuples.
Kolona e Bucaliut natën e parë të rrugës do ta kalonte në shkollën fillore të Lipjanit, para se të vazhdonte rrugën nëpër kodrat e Shtimes dhe Suharekës për të arritur në dhjetë të natës në kazermat e Prizrenit.
“Na çojshin në luftë pa na dhanë armë”, rrëfen Bucaliu, që shpeshherë pushon dhe merr frymë thellë për shkak të problemeve shëndetësore. Në qytetin e Lidhjes Shqiptare kishin kaluar dy net për shkak se partizanët e Brigadës së Prokuples nuk kishin arritur të ktheheshin një ditë më herët, siç ishte planifikuar.
Partizanët jugosllavë kishin plaçkitur prizrenasit. Ushqimin dhe bagëtitë e tyre ua kishin dhënë “vullnetarëve” të Frontit të Adriatikut.
“Në Prizren, kush ka dashtë, ka mujtë me marrë çerekun e mishit të një delme. Unë e pata marrë hisenë tem e masnej mu pat gjet shumë se rruga e lodhshme”, thekson Bucaliu.
Butka thotë se kërkimet e tij nëpër arkiva tregojnë se mobilizimi i shqiptarëve ishte pjesë e “projektit famëkeq të Çubriloviqit të 7 marsit 1937 dhe 3 nëntorit të vitit 1944”. Ai shkruan se projekti kishte dy shtylla kryesore, të cilat ishin bërë edhe pjesë e platformës së Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë.
Rrugëtimi drejt Shqipërisë
Ai shkruan “dy ishin mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: T’i zhdukim ose t’i shpërngulim”, për të vazhduar me kolonizimin e trojeve shqiptare jashtë Shqipërisë me kolonë sllavë të rajonit. Fillimisht duhej të vriteshin “pesëdhjetë për qind të shqiptarëve të Kosovës”, citon Butka dokumentet arkivore, sipas të cilave në Tivar ishin masakruar tre mijë deri në katërmijë e pesëqind shqiptarë. Ai fajëson edhe partizanët e Shqipërisë në Kosovë, të cilët me urdhrin e Enver Hoxhës arrestonin dhe ua dorëzonin shqiptarët e Kosovës partizanëve të Jugosllavisë, me të cilin kishin marrëveshje bashkëpunimi. Partizanët e Kosovës i kërkonin Enver Hoxhës të lejonte përdorimin e territorit të Shqipërisë për kalimin e “vullnetarëve” shqiptarë në Frontin e Adriatikut. Për disa historianë edhe krerët e komunistëve në Kosovë mbajnë një pjesë të fajit.
Kolona e Bucaliut kishte shkelur në këmbë kodrat dhe bjeshkët e rrëpirëta deri në Kukësin e vjetër, ku kishin fjetur në lëndinë. “Kush ka pasë naj qebe, e ka shtru. Por me e shtru, nuk kishe me çka me u mbulu. Me u mbulu, mbetshe pa shtrojë”, thekson plaku sesi kishin mbetur siluetat e trupave të tyre në lëndinën që ishte mbuluar nga bryma. Për disa momente kujton Kukësin e vjetër të fundosur prej Enver Hoxhës, që e shndërroi në liqen artificial. “Ka qenë qytet i vogël”.
Prej qytetit më të afërt kufitar do të niste rrugëtimi më i vështirë. Dy ditë e dy net kishin bërë deri në Shkodër. Bucaliu do të bartte në supe qindra metra prej një kodre në tjetrën një të afërm që ishte dërmuar prej lodhjes.
“Më bërtiti ushtari serb, por nuk e lëshova, edhe pse i ka pas 75 kille”, thekson Bucaliu, që urdhrat dhe vërejtjet e ushtarëve dhe komandantëve i kujton zëshëm në gjuhën serbe. Thotë se asnjë prej më shumë se 1.200 “vullnetarëve” shqiptarë nuk ishin vrarë gjatë rrugës drejt Shkodrës.
Butka shkruan se intervistat me të mbijetuarit e masakrës së Tivarit tregojnë se më shumë se një mijë e pesëqind shqiptarë ishin vrarë dhe zhdukur rrugës përgjatë territorit të Shqipërisë. Tri kolona me rekrutë shqiptarë për në Tivar kishin kaluar nëpër Shqipëri më 24-27 mars dhe tri kolona të tjera më 19-24 prill të 1945-s. Ai tregon shumë raste të vrasjeve të qindra shqiptarëve nëpër Shqipëri.
Kolona e Bucaliut do t’i kalonte tri ditë në gërmadhat e kazermës së papërfunduar italiane te “kodrat e tepeve”. Ishte habitur me bujarinë e shkodranëve, të cilët si gjithë pjesët e tjera të përfshira nga flakët e luftës, po përballeshin me mungesë ushqimi.
Ekzekutimi në breg të Bunës
“Ardhshin shkodranët, burra dhe fëmijë, e na dashin bukë të thatë dhe petlla. Nëse ua dhashe naj dinar, fëmija të marrshin, por edhe pa pare na i dashin nga katër-pesë petlla”, kujton Bucaliu. Thotë se shkodranëve u bënin presion partizanët serbë. “Po fëmija iu thoshin ‘hiqu derr’ se qashtu i thirrshin partizanët e Brigadës së Prokuples”.
Në natën e tretë të rrugës, i nisën për në Tivar. Shqiptari i parë ishte në breg të lumit, i fundit në dalje të kazermës, kujton plaku 92-vjeçar. Fillimisht ishin ngarkuar rreth 130 shqiptarë në një trap për ta kaluar Bunën. Rojë bënin tre partizanë serbë. Pas pak minutash trapi u thye. Aty do të ekzekutoheshin 130 shqiptarë.
“’Trrrrr…’, kërsiti automati dhe qaty i kanë ba batare. Edhe kanë ardhë ma shumë se dhjetë shkodranë. Nuk e di a kanë qenë ushtarë a komandanta, veç i kanë shti pushkën në fyt serbëve edhe iu kanë thanë ‘çka bane derr’. Ata i thanë se ia kishin vra njanin prej tre ushtarëve. Po ata dy vetë kishin pasë folë diçka në vesh edhe e kishin pas vra e gju në lumë shokun e tyre. Me provoku. Shkodranët iu thanë: ‘Po ti i vrave 130’”.
Masakra masive ishte kryer në pjesën afër pazarit të vjetër të Shkodrës. Më nuk ishte kryer asnjë vrasje. “Shkodra na ka shpëtu”, kujton ai. Thotë se kufomat ishin hedhur në një kamion dhe asnjëherë më nuk janë zbuluar varrezat e tyre.
Në tetor të 2009-s, Bucaliu kishte marrë me makinë “Rrugën e kombit” dhe kishte arritur në Shkodër për të kërkuar ndonjë plak, që ishte dëshmitar i atyre ngjarjeve. Por ishte zhgënjyer. I dëshpëruar është me mosgatishmërinë e njerëzve për të folur për përgjegjësinë e shtetit shqiptar. Bucaliu më shumë se Enver Hoxhën, fajtor e bën Ramiz Alinë, i cili atëbotë ishte komisar politik.
Në “Monopolin” e duhanit
Butka në një shkrim të botuar vitin e kaluar në mediat shqiptare, ku shpaloste pjesë të kërkimeve të “Masakrës së Tivarit dhe përgjegjësisë së shtetit shqiptar” mbështet qëndrimin e Bucaliut. Ai shkruan se Alia dhe komandantët partizanë kishin lista të shqiptarëve të arrestuar dhe të arratisur që u dorëzoheshin divizioneve jugosllave.
Bucaliu thotë se pas dy ditësh rrugë, pak pa hyrë në Tivarin e rrethuar nga katër kodra shkëmbore, kishin nisur dyshimet se çka mund t’i priste në “Monopolin” e duhanit.
“Në dy anët e rrugës kish pas plot xhurdi, tirq, kapuça e shoka. U dishin që janë të shqiptarëve. I vetëm partizanët serbë çka është puna e tyne. Na thanë se ‘shqiptarët e kolonës së mëhershme i kemi dërgu në front’”.
Por dyshimet ishin vërtetuar me të hyrë në fabrikë. Shtresa e gjakut “ishte pesë-gjashtë centimetra”.
“Ish pas ngri gjaku si akull. Po nuk u tutshim as prej dekës se u patëm lodhë me shpirt”, thekson Bucaliu, teksa gishtin tregues të dorës së djathtë e mbështet te hunda.
Masakrimi i kolonës para asaj të Bucaliut ishte kryer në mesditën e 31 marsit të vitit 1945, ku ishte ngritur kurthi sipas një plani të parapërgatitur për asgjësimin e të gjithë rekrutëve shqiptarë, shkruan Butka. Masakra kishte nisur në Tivarin e Ri, por fabrika e duhanit ishte shndërruar në një kasaphane të madhe. “Kemi fjetur nëpër dërrasa të dengjeve të duhanit, mbi gjakun e shqiptarëve”.
“Na shpëtum se masi ishim vonu një ditë në Prizren derisa patën ardhë me na marrë Brigada e Prokuples”, thekson Bucaliu.
Historianët thonë se partizanët serbë e malazezë planifikonin të kryenin të tjera ekzekutime masive të shqiptarëve, por vendimtare ishte ndërhyrja e aleatëve amerikanë dhe anglezë. Edhe Bucaliu kujton vizitën e tre ushtarakëve, një anglezi, një amerikani dhe një kroati, të cilët kishin urdhëruar zhvendosjen e kolonës në Dubrovnik, ku gjithashtu do t’i kalonte dy javë nëpër kazerma të shkatërruara në qiell të hapur. “Na i dhanë teshat e anglezëve, veç kapuça e ‘apasaça’ jo. Vazhduam rrugën për Split, ka qenë nata e Shëngjergjit para 6 majit. Dy net kemi nejtë në Split, prej aty në Zadër, vazhduam në Bakër. Kemi nejtë një ditë. Nuk patëm nevojë me shku në luftë se gjermani u ‘predat’. Aty kemi festuar”, kujton Bucaliu, i cili në shtator të 45-s do të kthehej me tren në Kosovë. “Na ka shpëtu Shkodra…na ka shpëtu”, ngulmon nja tri-katër herë 92-vjeçari që i shpëtoi masakrës për një ditë.