Bota

Socialdemokracia europiane po rrëzohet!

Socialdemokratët europianë duan t’i japin zemër vetes për zgjedhjet në Parlamentin Europian në fund të majit. Me të drejtë, sepse sondazhet e tyre tregojnë tendencën në rënie kudo në Europë.

Nga Bernd Riegert, DW

Bëjeni një provë vetë! Kujtoni emrin e një kreu të një qeverie socialdemokrate në Bashkimin Europian. Nuk iu bie ndërmend…me të drejtë, sepse nuk jeni i vetmi që duhet të mendoheni gjatë për këtë. Portugalia, Malta, Suedia, Sllovakia dhe Rumania qeverisen në BE nga socialdemokratët. Por në shtetet e mëdha të BE si Franca, Italia, Polonia nuk qeverisin socialdemokratët, edhe në Gjermani jo plotësisht (socialdemokratët janë në koalicion me konservatorët, shën.red.). Në Spanjë kryeministri Pedro Sanchez sapo shpalli zgjedhjet e parakohshme dhe nuk dihet, nëse ai do të fitojë zgjedhjet.

Qëllimisht socialdemokratët europianë zgjodhën të premten (22.02) kryeqytetin spanjoll, Madrid si vend për kongresin e tyre para zgjedhjeve europiane në fund të majit. Socialdemokratët që vuajnë në shumë vende nga vlera në rënie, donin të merrnin pak ndriçim nga drita që ende e rrethon Sanchez. Por edhe kjo dështoi, sepse vetë Sanchez po del në zgjedhje të reja.

Politologu dhe studiuesi i partive politike, Franz Walter në një intervistë me gazetën „Die Zeit” gati që para 10 vjetësh bëri parashikimin se Partia Socialdemokrate gjermane „nuk do të jetë më kurrë parti popullore”. Sepse elektorati i dikurshëm i punëtorëve, zgjedhësit kryesorë të saj është reduktuar. Ata që sot ndjehen të injoruar nga politika përqafojnë më mirë populistët, djathtas apo majtas. Kjo mund të vërehet në shumë vende europiane.

Sondazhe jo optimiste

Në Francë, Itali, Gjermani partitë tradicionale socialdemokrate kanë rënë ndjeshëm në elektorat. Me gjasë grupi parlamentare socialist në Parlamentin Europian pas zgjedhjeve të majit do të rrudhet ndjeshëm. Në vitin 2014 socialdemokratët arritën të kapnin 191 vende. Në këtë vit, sipas një prognoze të platformës së studimit të opinionit publik, „Poll of Polls” ata mund të arrijnë vetëm 136 vende. Partia laburiste britanike nuk do të jetë më pjesë e parlamentit të ri, bën që t’u hiqen atyre edhe 21 vende. Megjithatë, kreu i grupit parlamentarr socialist në PE, Udo Bullmann, dëshiron të mbetet forca e dytë politike. Pritet që liberalët dhe populistët euroskeptikë pritet të fitojnë shumë vende në Parlamentin e ri Europian. Forca kryesore mbeten konservatorët, fraksioni i të cilëve, nga 221 vende pritet të dobësohet nga 221 në vitin 2014, në 177 vende.

As kandidati kryesor i socialdemokratëve europianë për postin e kreut të KE, Frans Timmermans nuk e ka të lehtë. Forca politike që kishin socialdemokratët në Holandë është rrënuar. Socialdemokratët holandezë me gjasë do të dërgojnë vetëm 3 deputetë në PE. Timmermans, shpreson të jetë njëri prej tyre.

Nga ana tjetër brenda familjes socialdemokrate europiane ka tensione. Socialdemokratët sllovakë apo rumunë nuk janë më socialdemokratë të vërtetë, sipas mendimit të shumë drejtuesve socialdemokratë, por në shumë pika më konservatorë apo nacionalistë se CDU dhe CSU në Gjermani. Më problematike paraqitet situata në Rumani, ku Frans Timmermans, zëvendëspresident aktual i Komisionit Europian akuzoi socialdemokratët, se nuk bëjnë sa duhet kundër korrupsionit dhe ruajtjes së shtetit ligjor. Në Rumani ka zëra se kreu arrogant i socialdemokratëve rumunë planifikon të dalë nga grupi parlamentar i përbashkët në PE. Kjo do të ishte një goditje e re në fushatë zgjedhore për socialdemokratët, pasi rumunët socialdemokratë sjellin në parlament 11 vende.