Skitarja Era Shala thyen këmbën gjatë përgatitjeve për LOD për të Rinj “Lozana 2020”
Fati nuk e ka përcjell Era Shalën në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj “Lozana 2020”, pasi ajo ka thyer këmbën gjatë përgatitjeve të sotme, ka konfirmuar Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata Skitare e Kosovës.
“Përkundër vullnetit të madh të dëshirës për të garuar në një ngjarje të tillë, skitarja jonë me të ardhme të ndritur, sot theu këmbën gjatë përgatitjeve, një ditë para garës debutuese në sllallom të madh”, thuhet në konfirmimin e KOK-ut, transmeton Koha.net.
16-vjeçarja ishte duke u përgatitur në qendrën skitare “Les Diablerets” me trajnerët, Feim Kollçaku e Bujar Turjaka, kur theu këmbën.
Menjëherë, në ndihmë i dolën forcat emergjente të mjekësisë zvicerane, të cilat e bartën me helikopter nga qendra skitare në spitalin më të mirë të Lozanës, CHUV.
KOK i uron operim të suksesshëm Shalës dhe rikthim sa më të shpejtë në garat e ardhshme ndërkombëtare të skitarisë.