Skandali me darkën luksoze të qeverisë në Dubai, reagon Rama: Po bënin punë atje, jo pushime…
Një video e publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqen ministra të qeverisë dhe zyrtarë të lartë, duke darkuar në një nga restorantet më luksoze dhe të shtrenjtë të Dubait, ka shkaktuar reagime shumë të ashpra të qytetarëve.
Në video shfaqen ministrat Ahmetaj dhe Balluku, të shoqëruar nga Arbjan Mazniku, Endri Fuga dhe bashkëshortja e këtij të fundit, si edhe biznesmeni Mane dhe persona të tjerë.
Lidhur me këtë video, ka reaguar kryeministri Edi Rama, por siç ndodh rëndom, ai e ka trajtuar pa ndonjë seriozitet këtë ngjarje, dhe e ka “lëshuar” reagimin, duke i’u përgjigjur një komentuesi në rrjetet sociale.
Rama thotë se qeveria ka qenë në Dubai për punë dhe se në darkë janë thirrur nga “pala mikpritëse”.
Pamjet e ministrave të një nga vendeve më të varfëra të Europës, të zhytur në tavolinën e “Nusr-Et”, ndërkohë që zona të ndryshme të Shqipërisë janë përmbytur, kanë sjellë reagime të shumta dhe nuk duket se po kalojnë me kaq sportivitet sa reagimi i Ramës.
Kujtojmë që në darkë ndodhet edhe ministri i fatkeqësive të Shqipërisë, Arben Ahmetaj. Nuk dihet saktësisht se çfarë pune po bën ai në Dubai, por Ahmetaj spikat si një nga ministrat më të dhënë pas luksit, darkave dhe veshjeve shumë të shtrenjta.
Reagimi i Edi Ramës:
“Jo, ne fakt kur sheh pa mendje apo kur mendja sheh mbrapsht, syri nuk ka me cfare ben dhe goja flet mbrapsht! Ato ministrat ne video jane te vertete po, por nuk jane per pushime atje dhe prandaj duhet te informohesh para se te flasesh mbrapsht! Jane per pune dhe jane te ftuar nga pala mikpritese, e cila mbulon te gjitha shpenzimet e qendrimit atje, e nuk jane vetem ata ne video po jane nje grup i madh, perfshire edhe gazetare nga televizionet! Nuk eshte as udhetim pushimesh, as udhetim ilegal, po eshte udhetim pune dhe fakti qe po hane darke aty ku jane ftuar, nuk eshte as faj, as gabim, as lajm! Sa per shqiptaret, bej durim se erdhi 25 prilli dhe do ta thone vete shqiptaret mendimin e tyre, pa asnje merak fare! E vetmja gje e pavertete ne kete mes eshte profili yt fallco, po s’ka problem, ja ku e more edhe pergjigjen qe natyrisht s’do te te pelqeje, por e sqarojne shqiptaret kete pune sic te thashe. Vetem bej pak durim, ti dhe te gjithe ata qe shajne, qe ofendojne, qe perqeshin e nenqeshin per cdo pune te mire qe u del para syve!”
/TPZ.al/