Sipas Dacit, Amerika e Evropa s’do të vendosin vija që dëmtojnë Kosovën në raport me Serbinë
Ish-kryeparlamentari Nexhat Daci ka thënë se Kosova nuk do të dalë e lënduar nga procesi i dialogut me Serbinë, sa aty të ketë rolin kryesor Amerika.
Në Rubikon të KTV-së, Daci ka thënë se Kosova duhet të pranojë rezultatet që dalin nga konferencat ndërkombëtare për dialogun me Serbinë, me bindjen se pas angazhimit të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, s’do të ketë “vija dëmtuese për Kosovën”.
“Shkëmbimi i territoreve nuk është fare angazhim i imi. Amerika i ka caktuar dy njerëz, BE-ja është në pritje të caktimit të një njeriu dhe rezultatet që dalin nga konferencat ndërkombëtare, do të jenë ato që duhet të pranohen, cilado qofshin, por me pëlqimin e Kosovës sepse Kosova i ka shkatërrimet. Diku 200 mijë shtëpi të djegura, krejt potencialet financiare të vjedhura, banka popullore, mjetet e kursimeve, të pensioneve andaj e gjithë e keqja nuk mund të shpërblehet. Unë kam besim të plotë që në veçanti e them, amerikanët, por edhe Evropa, Gjermania dhe Franca deri diku, nuk do të vendosin vija të atilla që e dëmtojnë Kosovën në asnjë mënyrë”, ka thënë ai.
“Janë interpretime të gabueshme se ky apo ai po e përkrah shkëmbimin. Janë parlamenti e qeveria, ekipet ndërkombëtare, Amerika dhe Evropa e një zgjidhje duhet të bëhet. Nëse s’bëhet në këtë formacion nën udhëheqjen amerikane, atëherë shumë keq na shkruhet për ardhmërinë tonë”, ka deklaruar më tej Daci.