Sinani: PVD është mirënjohëse Qeverisë Kurti për ndihmën financiare në Luginë të Preshevës
Kryetarja e Partisë për Veprim Demokratik Ardita Sinani, ka shprehur mirënjohen në emër të saj dhe PVD’s Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit në detyrë z.Kurti për ndihmën financiare me 500 mijë euro për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përcjell Ministria Lajmeve.
Sinani tutje ka thënë se ajo dhe partija që udhëheq vlerësojnë lartë mbështetjen e Kosovës në luftën kundër virusit Covid-19.
“Duke qenë jetësisht falënderues dhe mirënjohës, duke mos dashur të dekurajojmë, kërkojmë nga Qeveria e R. Kosovës që kjo ndihmë financiare të përcillet me një plan të përpiluar për shpenzimin e këtyre mjete, në dobi të shtresave në nevojë dhe bizneseve lokale dhe duke kërkuar llogari nga pushteti lokal i komunës së Preshevës i cili nga praktikat e deritanishme është treguar joserioz, i pa aftë dhe jo transparent në shpenzimet e donacioneve dhe buxhetit komunal” – ka shkruar Sinani.
Postimi i plotë :
Të dashur qytetarë të komunës së Preshevës, unë dhe PVD vlerësojmë lartë dhe i jemi mirënjohës Qeverisë së R. Kosovës dhe z. Kurti me rastin e ndarjes së shumës prej 500 mijë eurove, si ndihmë për Luginën e Preshevës në luftën kundër Covid19.
Secili interesim, angazhim apo ndihmë e dhënë nga Qeveria e R. së Kosovës, pavarësisht shumës, për ne shqiptarët e Luginës së Preshevës si pjesëmarrës aktiv në luftën e lavdishme të UÇK-së për çlirimin dhe shtetndërtimin e R. së Kosovës dhe të gjitha fazat tjera, ngjall ndjenjën e kënaqësisë dhe sigurisë në përballje me problemet tona të përgjithshme dhe ato specifike!
Duke qenë jetësisht falënderues dhe mirënjohës, duke mos dashur të dekurajojmë, kërkojmë nga Qeveria e R. Kosovës që kjo ndihmë financiare të përcillet me një plan të përpiluar për shpenzimin e këtyre mjete, në dobi të shtresave në nevojë dhe bizneseve lokale dhe duke kërkuar llogari nga pushteti lokal i komunës së Preshevës i cili nga praktikat e deritanishme është treguar joserioz, i pa aftë dhe jo transparent në shpenzimet e donacioneve dhe buxhetit komunal!
Jo serioziteti, mos transparenca, mashtrimi dhe amullia e pushtetit lokal e krijuar me donacionin prej 112 mijë Euro, të ndara nga qeveria Haradinaj për ndërtimin e parkut në hyrje të qytetit të Preshevës, e shtojnë edhe më tepër dyshimin tonë në keq menaxhimin dhe keqpërdorimin e atyre mjeteve pikërisht nga pushteti lokal i komunës së Preshevës, duke mos dashtë të ulim vlerën dhe rëndësinë e këtyre donacione!
Këto veprime shpresëdhënëse, sado simbolike të Prishtinës zyrtare, në krahasim me gjendjen dhe nevojat tona kanë ndikim pozitiv tek shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët ndjehen të harruar nga vetë shqiptarët e të diskriminuar nga serbët!
Lugina e Preshevës, e harruar dhe diskriminuar skajshmërish, me një spastrim etnik në heshtje i cili po ndodhë, duhet të jetë pjesë e prioriteteve në fazën finale të bisedimeve Kosovës-Serbi!
Deklaratat e shumta nga një numër i caktuar i partive politike në R. e Kosovës, kundër bashkëngjitjes së Luginës, duke mos propozuar asnjëherë, asnjë mënyrë tjetër për zgjidhjen e problemit të Luginës së Preshevës, tek shqiptarët e diskriminuar të kësaj ane priten me dhimbje dhe zhgënjim!
Mos realizimi i të drejtave elementare të njohura me konventa ndërkombëtare si përdorimi i simboleve, gjuhës dhe shkrimit shqip, pasivizimi i adresave, diskriminimi permanent me mos njohjen e diplomave, mos lejimin e teksteve mësimore, mos integrimi në institucione publike dhe shtetërore si gjykata, policia, dogana, shërbimi tatimor, spitale, duke pasur parasysh shkallën e lartë të papunësisë prej 70%, pamundësia e biznesit vendor që të plasojë produktet e veta dhe barrierat e shumta administrative na bëjnë rajonin më të pa zhvilluar ekonomikisht në Serbi.
Kjo gjendje realisht e mjerueshme, pozita gjeostrategjike, korridori 10, resurset ekonomike dhe njerëzore, mundësia e zgjidhjes së përhershme duhet të shfrytëzohet që ky moment të shërbej si nismë serioze për çdo parti në Kosovë të hartojë një platformë për pozitën e shqiptarëve të Luginës duke pas si prioritet bashkëngjitjen, për të ndaluar spastrimin etnik të kësaj treve.
Lufta e armatosur dhe thirrjet e vazhdueshme të shqiptarëve të Luginës kundër diskriminimit permanent na bëjnë të besojmë, duke apeluar tek klasa politike e R. së Kosovës dhe ajo e Shqipërisë se zgjidhja e vetme e drejtë, jetike dhe e përhershme e problemit të Luginës së Preshevës është bashkëngjitja me Republikën e Kosovës!
Ç’do opsion tjetër nuk i zgjidh problemet dhe e shuan përfundimisht dhe përgjithmonë shpresën për Luginën!
Me respekt!
Ardita SINANI