Sinani: Pranojmë rezultatin e zgjedhjeve, nuk i bashkohemi Shqiprim Arifit
Kandidatja e PVD-së, për kryetare të komunës Ardita Sinani në zgjedhjet e parakohshme lokale në Preshevë të mbajtura më 28 mars ka falënderuar elektoratin për besimin e dhënë.
Postimi i plotë në Facebook nga Ardita Sinani:
Të nderuar qytetarë të Komunës së Preshevës, Të nderuar anëtarë dhe aktivistë të PVD-së, Zgjedhjet komunale përfunduan dje dhe rezultatet e tyre janë vullneti i juaj politik për qeverisjen e komunës sonë. Shfrytëzoj rastin t’i falenderojë të gjithë anëtarët e aktivistët e PVD-së të cilët kontribuan pa ndalë me punë e tyre në këtë kohë fushatë jo të lehtë. Veçanërisht të gjithë ata qytetarë që i besuan projektit tonë dhe që e votuan PVD-në. PVD shënoi rritje në këtë proces zgjedhor. Tash do t’i kemi 7 këshilltarë komunalë në Preshevë. Kjo rritje vjen përkundër rrethanave të pamundësisë që i krijonin hapësirë pushtetit. Pandemia në njërën anë që e reduktonte mundësinë e kontaktit e fushatës me qytetarët. Degradimi ekonomik në anën tjetër që po ia krijon partisë në pushtet e kryetarit të Komunës primatin klientelist kundër demokracisë. Mirëpo edhe në këto rrethana dhe me po aq rëndësi sa më lartë, është fakti që pushteti aktual shënoi rënie të theksuar të votave dhe nuk do të mund ta bëjë shumicën as i vetëm dhe as me ndihmën e Listës Serbe. Kjo e dëshmon që kritika jonë ndaj pushtetit ka pasur sukses dhe jehonë. Ne nuk i bashkohemi Shqiprim Arifit. Ne nuk e duam atë për kryetar. Ne nuk mendojmë që Presheva duhet të vazhdojë njëjtë. Ne e pranojmë rezultatin zgjedhor. Qytetarët e kanë përcaktuar PVD-në si të kundërtën e keq-qeverisjes së deritashme të Shqiprim Arifit. Kështu do të mbesim. Kritik ndaj tij e mospajtues ndaj politikave të tij. Ashtu siç edhe kanë kërkuar qytetarët e komunës së Preshevës. Shumica dërmuese e tyre kanë votuar kundër pushtetit të Shqiprim Arifit. Kjo tregon që Preshevës i duhet një qeverisje dhe një kryetar tjetër. Ne nuk do të ndalemi. Secili proces e secili rezultat është përvojë e duhur prej të cilit nxjerrim mësimet tona. Duke mësuar bëhemi më të fortë dhe më të përgatitur. Betejat më të rëndësishme politike janë para nesh e jo pas nesh. Presheva do të ketë edhe më shumë nevojë për qeverisje demokratike e profesionale në të ardhmen. Shqiptarët e Luginës do të kenë edhe më shumë nevojë për përfaqësim dinjitoz e zëplotë. Sepse shovenizmi e autokracia e Vuçiqit në Beograd nuk po zvogëlohet. E as nëpërkëmbja e diskriminimi në Preshevë e për Preshevën. PVD do t’i luftojë këto të dyja. Dhe vetëm PVD mund t’i luftojë këto të dyja. Ju faleminderit!