Sinani në inervistën për “Telegrafin”— PVD do të del triumfuese në zgjedhjet lokale të 28 marsit
Kandidatja e vetme femër shqiptare për kryetare në Komunën e Preshevës, Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) në një intervistë për Telegrafin me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka thënë se në zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen më 28 mars do të dal triumfuese nga kjo garë.
Sinani tha se dy kundër kandidatët e saj Ragmi Mustafa dhe Shqiprim Arifi nuk do të marrin pëlqimin e qytetarëve të Preshevës, pasi siç tha ajo në 15 vite qeverisje lokale ata s’kanë treguar asgjë tjetër pos dështimit të tyre.
Sinani po ashtu theksoi se Komuna e Preshevës ka degraduar plotësisht dhe siç deklaroi ajo sikurse Kosova edhe Presheva e donë një kapitull të ri.
“Komuna e Preshevës ka degraduar komplet në këto 15 vite dhe gjendja e përgjithshme ka mbetur shumë e vështirë. Së pari për shkak të diskriminimit të Serbisë, po ashtu edhe për shkak të qeverisjeve të këqija 15 vjeçare që kemi pasur nga dy kundër kandidatët e mi. Isha për pak muaj kryetare e komunës ku arritëm të marrim drejtimin e komunës dhe krijuam një shpresë tek qytetarët, por aso kohe mua më rrëzuan dy kundër kandidatët e mi të sotëm që janë në garë, duke bashkëpunuar në mes vete dhe për shkak se patën frikë nga humbja e privilegjeve të tyre. Dhe gjatë këtyre ditëve sikurse Kosova dhe Presheva e donë një kapitull të ri dhe fitoren e opozitës, ku pritshmëritë janë të mëdha ku pritet që të dal triumfuese në zgjedhjet e 28 marsit”, ka thënë ajo.
Sipas saj, të rinjtë pos problemit të punësimit, janë duke iu shkelur edhe të drejtat themelore.
“Pos problemit të punësimit sikurse të rinjtë e zonave fqinje në rajon, kanë probleme dhe të shkeljeve të të drejtave të tyre, kombëtare po ashtu dhe qytetare, si p.sh në arsim, në mos njohjen e diplomave të Republikës së Kosovës por edhe të procedurave burokratike të Maqedonisë ose të Shqipërisë”, u shpreh ajo.
Sinani gjithashtu potencoi se Komuna e Preshevës ka nevojë për politika të socializmit të të rinjve si dhe avancimin e tyre.
“Me mundësi në arsim dhe formimin cilësor që të jenë të përgatitur në tregun e punës. Në programin tonë ne do të integrojmë më shumë të rinjtë e Preshevës midis tyre por edhe të rinjtë e rajonit që të jenë në tregun e punës. Duke qenë se ne qeverisim me Këshillin Kombëtar Shqiptarë po ashtu kemi dhe Grupin Parlamentar të kryesuar nga Shaip Kamberi, besoj që edhe Komuna e Preshevës do të drejtohet nga ne. Atëherë pas 28 marsit ky sinkronizim dhe kjo sinergji ndërinstitucionale do të krijoj më shumë mundësi për të ndërtuar si dhe për të zbatuar politika për zgjidhjen e problemit të tyre ekonomik po ashtu dhe arsimore”, tha tutje kandidatja për kryetare të Komunës së Preshevës, Sinani.
A do t’ia dal Sinani të përballet me kundër kandidatët e saj, meqë gara është ashpërsuar po ashtu edhe gjuha mes kandidatëve, ajo tha: “Kam pasur guximin të përballem qysh nga fillimi, kam vullnetin, kam forcën, kam inkurajimin e të gjitha strukturave të subjektit tim politik. Dy kundër kandidatët e mi që kanë qeverisur për këto 15 vite… e kemi pa gjendjen në Preshevë. Kemi fakte të gjalla, dëshmi të cilat shihen”.
Sinani tutje u shpreh se kandidimi i saj është kundërpërgjigje e punës 15 vjeçare të dy kundër kandidatëve të saj.
“Kandidimi im është kundërpërgjigje e tipareve në 15 vite qeverisje, e para korrupsioni serioz po ashtu dhe paaftësitë qesharake. Presheva ka mbetur në harresë, të diskriminuar nga Beogradi pasi jemi shqiptarë por edhe të neglizhuar nga Pushteti Lokal dhe jo seriozitetit por edhe pozicionit nënshtrues të kryetarit aktual ndaj Serbisë. Ky nënshtrim nuk i bëri mirë Beogradit dhe Preshevës, ndaj Preshevës i duhet një kryetar që lufton për liri, drejtësi, zhvillim, jo një kryetar që i nënshtrohet Serbisë si Shqiprim Arifi që e kritikon Shaip Kamberin me argumentet e Vuciqit, Daciqit dhe Vulinit. Është nënshtruar, ka përfituar personalisht dhe Presheva është degraduar”.
E sa i përket raporteve të Kosovës dhe Shqipërisë, Sinani tha: “Shqipëria dhe Kosova duhet të koordinohen urgjentisht duke e vënë këtë çështje në agjendat tyre prioritare. Ato duhet të na ndihmojnë neve në ngritjen e kapaciteteve tona institucionale dhe politike për t’ju përgjigjur politikave të spastrimit etnik me metoda shumë perfide. Por edhe t’i aktivizoj diplomacitë e tyre për ta problematizuar këtë çështje në qarqe ndërkombëtare”.
E bindur se në zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen më 28 mars, Sinani potencoi dhe njëherë se do të dal fituese, dhe se data 29 mars do ta gjej atë si kryetare të Preshevës.
“Më datë 29 mars, ditë e hënë Ardita Sinani do të jetë kryetare e Preshevës, pritshmëritë janë shumë të mëdha, entuziazmi është shumë i madh. Ndryshimet që patëm në Kosovë janë reflektuar dhe në Komunën e Preshevës, dhe uroj që të shihemi në Komunën e Preshevës dhe të vini ju ta bëni intervistën e radhës këtu në komunë. Qytetarët e Komunës së Preshevës kanë mundësi të zgjedhin dy opsione, të zgjedhin mes të mirës dhe të keqes. E keqja është dështimi dhe mashtrimi që janë bërë bashk, apo të zgjedhin një kryetare të mirë për një Preshevë të mirë dhe të re. Deri në këto momente janë përcaktuar një numër i madh i elektoratit që janë për një Preshevë më të re. Unë jam me Preshevën dhe të votojnë numrin 4 që të jem në shërbim të gjithsecilit”, tha ndër të tjera, kandidatja e vetme femër për kryetare në Komunën e Preshevës, Ardita Sinani. /Telegrafi/