Sinani: 20 vjet nga moszbatimi i “Mrrëveshjes së Konçulit” nga Beogradi/ Lugina e Preshevës ende larg demokracisë dhe zhvillimit
Kryetarja komunës Preshevës Ardita Sinani sot kujtoi njëzet vjetorin e “Marrëveshjes së Konçulit”, marrëveshje kjo për demilitarizimin e UÇPMB-së me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.
Postimi i plotë :
Sot janë bërë njëzet vjet nga nënshkrimi i “Deklaratës për Demiltarizim”, të firmosur nga përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc me ndërmjetësimin dhe garantimin e përfaqësuesve të NATO-së, të njohur si « Marrëveshja e Konçulit ».
Kjo marrëveshje i parapriu miratimit të “Planit dhe Programit për zgjidhjen e krizës në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë » nga ana e Qeverisë së Serbisë, që kishte për qëllim kryesor « vendosjen e sigurisë së plotë individuale dhe kolektive, ndërtimin e shoqërisë multifunksionale e multietnike, respektimin e plotë të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe zhvillimin e prosperuar dhe të shpejtë”.
Sipas këtij Plani dhe Programi, Qeveria e Serbisë duhej t’i realizonte zotimet e saj për 36 muaj nga dita e nënshkrimit të marrëveshjes (S+36, me ç’rast S simbolizonte datën e nënshkrimit të marrëveshjes), pra më së largu deri më vitin 2004.
Njëzet vjet më vonë, më 21 maj 2021, as nuk kemi vendosje të sigurisë së plotë individuale dhe kolektive, as ndërtim të shoqërisë multifunksionale e multietnike, as respektim të plotë të të drejtave të njeriut dhe pakicave, si dhe as zhvillim të prosperuar dhe të shpejtë.
Njëzet vjet pas “Marrëveshjes së Konçulit” mbetemi ende larg paqes. Larg demokracisë. Larg dialogut. Larg marrëveshjes.
Larg paqes se jetojmë vetëm në paqe si mungesë lufte. Larg demokracisë se jetojmë në autokraci. Larg dialogut prej ku jemi përjashtuar. Larg marrëveshjes që nuk po zbatohet.