Lajme

Si u shmang sulmi terrorist i planifikuar në Gjenevë, të arrestuar edhe dy shqiptarë

Anëtarët zviceranë të ISIS u përpoqën të shpërthejnë cisternat gjigande Vernier afër aeroportit të Gjenevës, plan ky që u prish nga Shërbimi Informativ i Konfederatës (SRC), me ndihmën e shërbimeve sekrete amerikane.

Gazeta zvicerane”Le Temps” njofton se shërbimet sekrete amerikane kishin alarmuar kolegët e tyre zviceranë mbi rrezikun e një sulmi terrorist në Gjenevë. Sipas gazetës “Shteti Islamik” kishte planifikuar një sulm kundër depove me derivate të naftës në Komunën Vernier, afër aeroportit të Gjenevës. Në vjeshtë të vitit 2018 shërbimet amerikane njoftuan shërbimin sekret zviceran mbi rrezikun e sulmit. Informatat iu përcollën policisë së Gjenevës, e cila pastaj mori masat përkatëse.

Tre persona që planifikonin sulmin ishin takuar në një xhami në Gjenevë. Që të tre, sipas “Le Temps”, ballafaqoheshin me probleme të ngjashme: papunësi, vështirësi integrimi, dështime. Ata u radikalizuan në xhami. Nga dokumente mësohet se ishte planifikuar që në Gjenevë të vinin dy shqiptarë për të realizuar planin. Ata u arrestuan rrugës për në Zvicër. Një sulm i ngjashëm, sipas të dhënave të shërbimeve amerikane, ishte planifikuar edhe në Basel, transmeton Ministria e Lajmeve.

Skenari ishte i atillë që nga ky shpërthim masiv në Vernier një flakë e madhe do të kërcënonte Lignon dhe Avanchets. Karburantet e zeza dhe helmuese do të mbulonin qytetin dhe do të paralizonin aeroportin.

Pas këtij alarmi u mobilizuan zjarrëfikësit e Gjenevës të cilët kërkuan poashtu përforcime nga kantonet fqinje.

Mësohet se që nga paraqitja e “Shtetit Islamik” në skenën e përgjakshme të luftës në Siri dhjetëra shqiptarë nga diaspora kanë shkuar në Siri dhe në Irak për të luftuar për “Kalifatin e ri”. Tani që “Shteti Islamik” praktikisht është zhdukur, disa shqiptarë po mbahen në burgjet e forcave kryengritëse kurde.