Të fundit

Shtabi Komunal për Situata të Jashtëzakonshme mbajti mbledhje me rastin e paraqitjes së “Corona Virusit” në rajon

Shtabi Komunal për Situata të Jashtëzakonshme shqyrtoi situatën, me rastin e paraqitjes së “Covid 19 – Corona Virusit” në rajonin e gjerë, ku janë paraqitur rastet e para të personave të infektuar nga virusi në fjalë dhe nxorri këto konkluzione:

1. SHKSJ urdhëron institucionet publike që operojnë në Komunë të Preshevës të marrin masa adekuate për menaxhimin e situatës së paraqitur

2. SHKSJ angazhoi një grup pune për përgatitjen e udhëzimeve dhe rekomandimeve për menaxhimin e situatës

3. SHKSJ urdhëroi institucionet publike që të përgatisin specifikatat për mjetet / personelin e nevojshëm, lidhur me menaxhimin e situatës

4. SHKSJ do t’i drejtohet me Kërkesë zyrtare Komesariatit për refugjatët, lidhur me kufizimin e qarkullimit të migrantëve jashtë territorit të “Qendrës pranuese” në Stacionin Hekurudhor

5. SHKSJ do t’i drejtohet me Kërkesa zyrtare Ministrive dhe organizatave ndërkombëtare, për mbështetjen e institucioneve publike që veprojnë në Komunë të Preshevës, për furnizimin e mjeteve / personelit të nevojshëm për menaxhimin e situatës

6. SHKSJ rekomandon evitimin e tubimeve dhe frekuentimit të vendeve dhe institucioneve publike pa nevojë

7. Informimi i opinionit mbi rrjedhat e menaxhimit të situatës së paraqitur, të bëhet nga ana e institucioneve kompetente, e jo nga burime të pa konfirmuara (portalet, rrjetet sociale etj.)

Në vijim i keni të paraqitura udhëzimet dhe rekomandimet e grupit të punës, lidhur me situatën e paraqitur nga Corona Virusi:

Udhëzimet:

-Ajrosje e rregullt e hapësirave punuese si dhe mbajtja e higjenës së hapësirave dhe pajisjeve, të cilat i frekuentojnë të punësuarit dhe shfrytëzuesit
– Zbrazje e shpeshtuar e shportave të mbeturinave
– Përdorimi i materialeve adekuate higjenike
– Furnizim të rregullt të tualeteve dhe kuzhinave publike me sapuna të lëngshëm
– Aplikimi i masave të shtuara për larjen e detyruar të duarve të nxënësve dhe punonjësve në institucionet publike
– Faculetat (pallomat) e përdorura të hudhen në shportat e mbeturinave
– Anulimi i tubimeve në hapësira të mbyllura
– Shtimi i masave të mirëmbajtjes së pastërtisë në institucionet publike
– Evitimi tubimeve dhe frekuentimit të vendeve dhe institucioneve publike pa nevojë
– Pajisja e nxënësve me nga një shishe ujë të pijshëm dhe konsumimi më i shpeshtë i ujit
– Evitimi i vizitave familjare, sidomos nëse konstatohet që kanë anëtarë të sëmurë me grip

Rekomandime:

– Në rastet e paraqitjes së simptomave të çfarëdo lloj gripi, personat në fjalë të paraqiten tek Shtëpia e Shëndetit në Preshevë, e jo të ndërmarrin masa individuale për vetëshërim
– Evitimi i panikut të panevojshëm
– Informimi mbi rrjedhat e menaxhimit të situatës së paraqitur, të bëhet nga ana e institucioneve kompetente, e jo nga burime të pa konfirmuara (portalet, rrjetet sociale)