Shqiprim Arifi : Shaip Kamberi përçarës i partive shqiptare në Luginë
Kryetari i Alternativa për Ndryshim, Shqiprim Arifi, ka deklaruar për gazetën Nacionale se më nuk ka asnjë mundësi që shqiptarët të jenë në një listë për zgjedhjet parlamentare në Serbi që do të mbahen me 3 prill, përcjell Ministria e Lajmeve
“Jo, nuk është më e mundshme, sepse tashmë listat janë vetëm në procedura. Kjo si rrjedhojë e asaj që kemi pasur katër javë diskutime dhe negociata. Si konkluzion nga këto negociata, ka rrjedhë që njëra nga partitë e spektrit politik shqiptar këtu në Luginë, ka thyer marrëveshjen e vitit 2020, e cila ka qenë një standard me kritere të plota se si ndërtohet lista. Kjo është partia e ish-deputetit Kamberi, e cila nuk ka dashur t’i përmbahet kësaj marrëveshje. Për këtë arsye, edhe nuk kemi arritur ta bëjmë atë që e kemi bërë në vitin 2020”, – ka thënë Arifi.
Ai ka fajësuar drejtpërdrejt ish-deputetin Shaip Kamberi për përçarje në mes të shqiptarëve të kësaj pjese.
“Përplasja në mes partive politike nuk ka ekzistuar, por partia e ish-deputetit Kamberi ka kontribuar në maksimum, pa ndonjë rezervë, në drejtim të shpërbërjes së marrëveshjes së Tiranës, ku partitë politike kishin arritur marrëveshjen që të garojmë së bashku”, – ka deklaruar ai, duke shtuar se shqiptarët atje rrezikojnë të përçahen edhe në nivelin lokal.
“Kamberi është një person që ka kontribuar që me listën e vet tani ta përçajë Preshevën dhe Bujanocin, duke i marrë me zor në koalicion dy parti, të cilat i ka kërcënuar me koalicion lokal. Tash e ka përçarë Bujanocin dhe Preshevën, kështu nuk ka përplasje, por ka fakte të cilat flasin kundër Kamberit. Për neve shqiptarët në Luginë të Preshevës, është e çuditshme se çka është duke bërë partia e ish-deputetit Kamberi dhe si ka kontribuar ai në direfecimin dhe përçarjen e partive shqiptare në Luginë”, – ka deklaruar Arifi.
Këto akuza i ka hedhur poshtë, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi.