Të fundit

Shqiprim Arifi kërkon përfshirjen e Luginës së Preshevës në bisedimet Kosovë-Serbi

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ka kërkuar nga liderët kosovarë përfshirjen e Luginës së Preshevës në bisedimet Kosovë-Serbi.

Këtë deklaratë Arifi e bëri gjatë një takimi që pati sot me delegacionin e Republikës së Kosovës, në Preshevë, me ministren e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj- Stublla dhe ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi.

Arifi theksoi se përfshirja e Luginës së Preshevës në këto bisedime është e domosdoshme.

Ai tha se Lugina e Preshevës duhet të jetë edhe pjesë e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, në rast të kundërt siç u shpreh Arifi marrëveshjet nëse do të arrihen mes dy shteteve nuk do të ishin të qëndrueshme.

“Biseduam rreth mundësisë së sinkronizimit dhe bashkërendimit të mundësive tona të përbashkëta. Lugina të përshihet në dialog dhe të jemi prezent ku përfshihen marrëveshjet e dy shteteve. Marrëveshjet që nuk e përfshijnë Preshevën nuk ka mundësi të jetë të qëndrueshme”, ka thënë Arifi