Shqiprim Arifi: Fondi kombëtar i solidaritetit, shpresë për projekte në Luginën e Preshevës
Kosovës dhe Serbisë janë pengesa kryesore për integrimin dhe zhvillimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ata thonë se synimi për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën nëpërmjet ndonjë forme të ndryshimit të kufijve duket i parealizueshëm, por kërkojnë që shqiptarët në atë zonë të gëzojnë të njëjtat të drejta, sikurse edhe serbët në Kosovë. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Leonat Shehu, ishte në Luginën e Preshevës dhe pergatiti këtë material.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, thotë në një bisedë me Zërin e Amerikës se tashmë është e qartë që bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën nëpërmjet shkëmbimit të territoreve nuk mund të realizohet, por kërkon që shqitarët në Luginë të kenë të drejta të njëjta sikurse serbët në Kosovë.
“Është sqaruar edhe njëherë që nuk është ide e mirë shkëmbimi i territoreve edhe pse ne këmbëngulim në atë që dëshirojmë të jemi me Kosovën, por shkëmbimi i territoreve edhe për neve nuk vije në shprehje. Po shihen që ndërkombëtarët janë radhitur në drejtim të asaj që ky shkëmbim territoresh apo ndryshim kufiri të mos realizohet, për neve prapë është dëm sepse kemi punuar me dekada në drejtim të asaj që të jemi pjesë e Kosovës por kjo në qoftë se rezulton në dy gjëra është e pranueshme, e para është që të pranohet Republika e Kosovës si shtet në OKB dhe e dyta është që të vlejë reciprociteti për shqiptarët e Luginës së Preshevës në krahasim me serbët në Kosovë. Kështu që shpresojmë që këto dyja nëse i nxjerrim si rezultat nga ky debati i vitit të kaluar atëherë edhe ne jemi të kënaqur”,tha ai.
Ragmi Mustafa, që udhëheq Këshillin Kombëtar të shqiptarëve në Serbi, me seli në Bujanoc, thotë se të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës vazhdojnë të shkelen dhe se Serbia, thotë ai, nuk ka treguar vullnet politik e as pragmatik për të zgjidhur çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Andaj duke pasur kontekstin Kosovë-Serbi ne mendojmë që domosdoshmërisht Lugina e Preshevës duhet të jetë çështje e trajtuar në kuadër të dialogut dhe duke trajtuar edhte çështjet e dialogut të gjindet zgjidhje edhe për çështjen e Luginës së Preshevës”,tha zoti Mustafa.
Zoti Mustafa thotë se çështja e Luginës së Preshevës vetëm sa e ndihmon dialogun Kosovë-Serbi.
“Dilaogu për qëllim nëse e shohim ka marrëdhëniet e mira fqinjësore në mes të Kosovës e Serbisë dhe këto marrëdhënie nuk mund të jenë mirëfilli pa kaluar përmes Luginës së Preshevës dhe është e paimagjueshme që Kosova të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë për derisa shqiptarët e Luginës së Preshevës në mënyrë sistematike dhe perfide diskriminohen”, tha ai.
Vitin e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi idenë e tij për korrigjim të kufirit me Serbinë që do të nënkuptonte bashkimin e Luginës së Preshevës me me Kosovën. Kjo cështje nxiti shumë debate dhe reagime të partive politike në Kosovës por edhe te një pjesë e faktorit ndërkombëtar.
Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, thotë se rihapja e kësaj çështjeje ishte e mirëseardhur, por…
“….Kemi pasur dëm, jo se është hapur debati, por që nuk janë marr masat preventive të cilat ne i kemi kërkuar si udhëheqës i Luginës së Preshevës nga qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë, që kemi kërkuar zyrtarisht të kemi një fond kombëtar të solidaritetit i cili është një fond teknik dhe mundëson që ne me projekte konkrete tona të aplikojmë në atë fond dhe të realizojmë ato projekte në fusha të ndryshme në Luginën e Preshevës që të baraspeshojmë dëmin i cili po bëhet dalëngadalë nëpërmjet mos realizimit të këtij debati ose mos konkludimit të këtij debati, kjo nuk është bërë dhe jemi dëmtuar pastaj ka ardhur edhe tarifa gjë të cilën e kemi përshëndetur vendimin si mjet politik por si mjet politik neve në Luginë të Preshevës na ka bërë dëm që e kemi ditur në momentin e parë por kemi shpresuar që fondi kombëtar i solidaritetit të balancojë edhe këtë”,tha zoti Arifi.
Nën hijen e debateve politike, situata në Luginën e Preshevës vlerësohet e rëndë dhe nuk ka shënuar përparim që nga përfundimi i konfliktit të para 18 vjetëve ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në këtë zonë.
Përfaqësuesit shqiptarë tërheqin vëmendjen se shumë qytetarë po e lëshojnë vendin për shkak të siç thonë diskriminimit. Ata thonë se papunësia, mos njohja e diplomave dhe librave shkollorë nga Kosova, janë disa nga sfidat kryesore për qytetarët e kësaj ane.
“Diku rreth 12 mijë nxënës kanë qenë në shkollat fillore dhe të mesme në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë sot kemi rreth shtatë mijë nxënës që janë nëpër shkolla. Pra kemi një rënie mbi katër mijë e 900 nxënës e në shifra të përqindjes është mbi 41 për qind, për periudhën 2008-2009 deri më 2018-2019”,tha zoti Mustafa.
Udhëheqësit politik të zonës thonë se situata në Luginë vazhdon të jetë e paqëndrueshme që nga viti 2001 ndërsa shpresojnë që nëpërmjet bisedimeve Kosovë-Serbi të krijohet më shumë hapësirë për përmirësimin e situatës edhe në Luginën e Preshevës.