Lajme

“Shqipëria e Madhe, projekt i Perëndimit. Shteti unik shqiptar do të jetë një realitet i këtij shekulli”

Drecun, që konsiderohet si një ndër zëdhënësit e Qeverisë serbe, kur është fjala për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, ka deklaruar për televizionin privat serb PINK se pret që Qeveria e Kosovës të heqë tarifat e vendosura për mallrat serbe, me argumentin se sikurse është shprehur, do të ishte një provokim për shqiptarët që të bllokojnë nismën e Presidentit amerikan Donald Trump, por edhe qëndrimin e Federatës Ruse për nevojën e zgjidhjes së problemit të Kosovës.

Procesi tjetër, veç vazhdimit të negociatave, thotë Drecun, është skajshmërisht negativ për palën serbe, kërcënues e destabilizues, është krijimi i asaj që ai e quan ‘Shqipëri e Madhe’.

“Mendoj se zgjidhja e problemit të Kosovës do të zhvillohet përmes këtyre dy proceseve: Nga njëra anë të arrihet njëfarë kompromisi për statusin përfundimtar të Kosovës dhe kjo nënkupton se Serbia nuk mund të jetë plotësisht humbëse, ndërsa shqiptarët fitues absolut. Nga ana tjetër, sipas meje, procesi i krijimit të Shqipërisë së Madhe është i pakthyeshëm dhe ajo ka për t’u formuar në këtë ose atë formë.”

Megjithëse edhe në paraqitjen e këtij fillimviti Drecun nuk ka kursyer akuzat në adresë të Tiranës zyrtare për, sikurse ka deklaruar, ‘grabitje territori’, prapëseprapë, kjo, sipas tij, nuk është për meritë të shqiptarëve, por një projekt i Perëndimit për t’ju kundërvënë Serbisë, si nga aspekti demografik, territorial apo edhe i resurseve, dhe për të frenuar ndikimin serb në Ballkan.

“Ky, mendoj unë, është një vlerësim i tyre real gjeopolitik dhe ne nuk duhet të befasohemi dhe duhet ta dimë se cilat janë interesat e këtyre vendeve kryesore perëndimore dhe si t’i mbrojmë më së miri interesat tona në kushtet kur ato ashiqare nuk e kundërshtojnë formimin e këtij shteti unik shqiptar,” – thotë Milovan Drecun duke bërë thirrje që serbët ta pranojnë këtë si një realitet të Shekullit XXI:

“Duhet ta pranojmë këtë realitet, jo pse ne pajtohemi me këtë, por pse nuk duhet të rrëshqasim në terrenin e sjelljes irracionale politike.”

Kreu i komisionit parlamentar serb për Kosovën parashikon se sa i përket statusit përfundimtar të Kosovës, ai nuk mund të mbyllet pa rolin e Rusisë. Në këtë shtrije pret që çështja e Kosovës të jetë kryefjalë e vizitës së afërme në Beograd të Presidentit Vladimir Putin.

“Ne Rusia na duhet të na bëjë më të fortë pikërisht tek amerikanët. Kur Rusia të jetë në anën tonë, amerikanët e dinë shumë mirë se nuk mund të shtyjnë kurrfarë zgjidhjeje pa pëlqimin e Federatës Ruse,”- ka deklaruar zyrtari serb për televizionin privat proqeveritar PINK.