Lajme

Shpërndante lajme ku thuhet se ka vdekur Isa Mustafa, policia e identifikon të dyshuarin

Policia e Kosovës ka identifikuar një person të dyshuar për shpërndarje të fotografive dhe videove në të cilat shkruhet se ka vdekur kreu i LDK-së, Isa Mustafa, si pasojë e infektimit me koronavirus.

Policinë pas shpërndarjes së videove e ka lajmëruar sekretari i LDK-së, Arban Abrashi.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Abrashi ka thënë se kanë lajmëruar menjëherë Policinë e Kosovës pas përhapjes së videove dhe se i dyshuari është idtenfikikuar dhe se jeton jashtë vendit.

Gazeta Express ka raportuar sot se në rrjete sociale janë shpërndarë edhe disa foto e video të rreme, ku thuhet se kreu i Lidhjes Demokratike ka vdekur.

Madje, me anë të montazhit janë bashkuar edhe video kur anëtarë të kësaj partie po bënin homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova.

Megjithatë, sipas njoftimit të familjarëve të Mustafës, lideri i LDK-së po vazhdon të qëndrojë në vetizolim dhe është në gjendje të mirë.