Të fundit

Shoqata “Bleta” alarmon për rrezikun nga pesticidet: Bletët në Preshevë po helmohen nga spërkatjet e pakontrolluara

Shoqata “Bleta”, e cila vepron në komunën e Preshevës, ka ngritur shqetësim serioz për përdorimin e tepruar dhe të pakontrolluar të pesticideve dhe insekticideve në hapësirat e gjelbra dhe oborret private, që po dëmtojnë rëndë bletarinë në rajon.

Sipas njoftimit të kësaj shoqate, ditëve të fundit në bletishtet përreth Preshevës janë vërejtur shumë raste të bletëve të helmuara, si pasojë e trajtimit me insekticide në kopshte familjare dhe në hapësira publike. Kjo praktikë, siç thuhet nga përfaqësuesit e shoqatës, është në kundërshtim me natyrën dhe përbën kërcënim direkt për ekosistemin lokal.

“Luten të gjithë qytetarët që, në rast se është e domosdoshme spërkatja e luleve apo bimëve, ajo të bëhet vetëm në orët e vona të pasdites, kur bletët janë më pak aktive”, thuhet në apelin e Shoqatës “Bleta”.

Shoqata njëherësh ka kërkuar nga barnatoret bujqësore që të marrin përgjegjësinë për të informuar dhe ndërgjegjësuar qytetarët për përdorimin e drejtë të pesticideve, duke respektuar standardet për mbrojtjen e mjedisit dhe faunës së dobishme.

Kjo thirrje vjen në një kohë kur bletaria në rajonin e Preshevës përballet me sfida të shumta, përfshirë ndryshimet klimatike dhe mungesën e mbështetjes institucionale, ndërsa vetë bletët janë ndër speciet më të rëndësishme për ruajtjen e biodiversitetit dhe prodhimin ushqimor.