Bota

Shkon në mbi 50 numri i viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Greqi

Në orët e para të 1 nëntorit, ekipet e shpëtimit kanë arritur që të shpëtojnë një burrë 70 vjeç, i cili ishte i bllokuar në rrënojat e një ndërtese në Izmir të Turqisë, teksa numri i viktimave ka arritur në 51.

Shpëtimi i këtij personi ka rritur shpresat që mund të shpëtohen persona të tjerë që mund të jenë të bllokuar në gërmadha, dy ditë pasi një tërmet i fuqishëm goditi Turqinë dhe Greqinë.

Ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha se burri 70 vjeç, i identifikuar si Ahmet Citim, asnjëherë “nuk humbi shpresat” që do të shpëtohej.

Autoritetet turke thanë se 49 persona kanë vdekur në qytetin e Izmirit, ndërkaq dy adoleshentë kanë vdekur në ishullin grek, Samos.

Të shtunën, ambasada e Kosovës në Ankara njoftoi se dy persona me origjinë nga Kosova, janë në mesin e viktimave të tërmetit të fuqishëm që goditi Detin Egje më 30 tetor.

Autoritetet thanë se 20 ndërtesa në Izmir janë rrëzuar për shkak të tërmetit, kryesisht në qarkun Bayrakli, ku ndërtesat janë të ndërtuara duke mos ndjekur protokollet për qëndrueshmëri ndaj tërmeteve.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka njoftuar se 885 persona janë plagosur nga tërmeti, ku 15 prej tyre janë në gjendje kritike.

Mbi 5,700 pjesëtarë të agjencive shtetërore dhe lokale turke janë mobilizuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Operacionet e shpëtimit do të vazhdojnë edhe të dielën në Izmir – qytetin e tretë më të madh në Turqi.