Shefi i AstraZeneca: Vaksina është kthyer në mjet politik
“Nuk është aq mirë sa do të dëshironim të ishte, por realisht, edhe aq keq nuk është”.
Me këto fjalë, në intervistën për gazetën italiane “Republica”, shefi i kompanisë farmaceutike AstraZeneca, Pascal Sorio, e përcaktoi situatën e fundit.
Ai iu përgjigj kritikave që erdhën nga Komisioni Europian, por edhe nga disa shtete anëtare të BE-së për sjelljen e kësaj kompanie kur bëhet fjalë për shpërndarjen e vaksinave, transmeton portali arbresh.info
Të premten e kaluar, kompania AstraZeneka, njoftoi Brukselin se nuk do të ishte në gjendje që të bënte shpërndarjen e vaksinave në përputhje me marrëveshjen që nënshkroi.
Sorio deklaroi se problemi kryesor është rendimenti i ulët në procesin e prodhimit të vaksinave në fabrikat që prodhojnë për Evropën, kryesisht kur bëhet fjalë për substancën. Menjëherë pas kësaj, ai shton se kur bëhet fjalë për një proces kaq të shpejtë “mund të ketë vonesa dhe probleme”.
“Por është e komplikuar, veçanërisht në një fazë të hershme në të cilën hasen një sërë problemesh. Ne besojmë se i kemi përcaktuar ato probleme, por për shkak të kësaj kemi vonuar rreth dy muaj,” tha Sorio.
Ndër të tjera, ai shtoi se është vaksinuar, ndërsa theksoi se nëna e tij ka marrë vaksinën e kompanisë Pfizer në Francë.
Ai veçanërisht sulmoi ashpër njoftimet nga BE se eksporti i vaksinave do të ndalohej, duke deklaruar se ishte BE që këmbënguli që vaksina të ishte në dispozicion për të gjithë.
Ai theksoi se vaksina është kthyer në një mjet politik.
Sa i përket kundërshtimeve nga BE se Britania mori më shumë vaksina, Sorio tha prerë dhe qartë: “Londra nënshkroi kontratën me ne tre muaj më parë dhe është normale që do të ketë përparësi”.
Ai deklaron se BE do të marrë rreth 17 milion doza vaksinash deri në fund të muajit shkurt, transmeton portali arbresh.info
Europa do të marrë 17 përqind të prodhimit dhe ka vetëm 5 përqind të popullsisë së botës, paralajmëron farmacisti. Dhe ai kujton se 7.5 miliardë njerëz jetojnë në botë.
Kur bëhet fjalë për llojet e reja të koronavirusit, Sorio beson se vaksina ekzistuese mund të ndihmojë edhe te njerëzit që infekstohen me koronavirusin anglez dhe atë afrikano-jugor./arbresh.info/