SHBA e prerë, nuk heq dorë nga zbardhja e vrasjes së vëllezërve Bytyqi
Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin dorë nga kërkesa ndaj autoriteteve të Serbisë që të zgjidhin rastin e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, si dhe nga drejtësia për ta, ka konfirmuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd.
Përmes një komunikate për media, kjo ambasadë, ka thënë se më 8 korrik është përvjetori i 21-të i vrasjes së vëllezërve Bytyqi.
“Ndonëse kanë kaluar 21 vjet, ka pak përparim drejt hetimit efikas dhe të hollësishëm të vrasjes së këtyre shtetasve amerikanë. Drejtësia për familjen e vëllezërve Bytyqi është edhe më tej një nga prioritetet e marrëdhënieve tona bilaterale me Serbinë”, ka thënë ambasada e SHBA-së në Beograd.
Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, të cilët iu bashkuan luftës në Kosovë.
Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.
Një gjykatë e qytetit të Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish-Jugosllavisë.
Ata janë liruar nga burgu, pasi që ishin dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varrezë masive, pranë Petrovo Sello në lindje të Serbisë, në vitin 2001.
“Duart e viktimave ishin të lidhura prapa shpinës, ndërkaq në kokën e secilit prej tyre ka pasur plagë të shkaktuara nga plumbat e qëlluar në pjesën e pasme të kokës”, thuhet në komunikatën për media të ambasadës së SHBA-së në Beograd./