Shala: S’përjashtojmë hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, tha se nuk përjashtohet mundësia që opozita e tashme do t’i përdorë metodat që i ka përdorur partia e kryeministrit Albin Kurti – nga gazi lotsjellës e deri tek hedhja e vezëve në Kuvendin e Kosovës.
Në Interaktiv të KTV-së, Shala tha se prezantimi i programit qeverisës nga Kurti ka pasur pika të mira.
“Ato që i ka përmendur, sipërfaqësore, janë pika të mira. Por, gjatë prezantimit të tij, ka përmendur edhe vite. Kjo është e mira e opozitës sepse ka çfarë kërkon. Ka përmendur 2020, 2021, 2022. Neve na mbetet ta marrim komplet programin qeverisës të Kurtit dhe të kërkojmë përgjegjësi nga zoti Kurti. Ai s’është ballafaquar me deputetë sepse s’ka qenë kurrë në pozitë. Ai nuk duhet t’i marrë si kritika fjalimet e deputetëve të opozitës në Kuvend, por si këshilla”, tha Shala.
Ai shtoi se ato që ua thotë Kadri Veseli atyre (Vetëvendosjes) ka të drejtë, sepse edhe ata i kanë thënë atij shumë gjëra. “Tash janë në pushtet, urdhëroni zbuloni ato për të cilat më parë e keni akuzuar pozitën”, deklaroi shefi i GP të Nismës.
Shala tha se nuk pret që Kurti do të ndryshojë qasjen e tij të mëhershme, ndonëse në fjalimin e tij në Kuvend ka thënë se s’do ta sulmojë opozitën edhe nëse e sulmojnë ata atë.
“Siç e njohim ne Albin Kurtin, nuk është qasja e tij. Vetëm nëse ndryshon 100%. Por, ai do të ballafaqohet me deputetë. Ai s’mund t’iu ik debateve. Edhe opozita besoj se s’do të jetë opozitë sikurse ka qenë zoti Kurti. Ai s’ka lënë gjë pa thënë, dhe, edhe nëse ia thotë opozita atij, është e drejtë sepse ai i ka mësuar ata të veprojnë ashtu. Kemi gjuajtur gaz lotsjellës bashkë, por kemi pasur arsye. Por, nëse zoti Kurti bën gabime që i ka bërë Mustafa, normal që do të ketë edhe gaz e edhe vezë”, tha Shala.
Deputeti i Nismës tha se nuk i dëshiron qeverisë Kurti të bëjë gabime që i ka bërë qeveria e zotit Mustafa. “Por, mund të ndodhë, sepse bisedimet me Serbinë ende s’kanë përfunduar. U pa edhe ultimatumi i ambasadorit amerikan në Berlin se taksa duhet të hiqet”, tha më tej shefi i GP të Nismës, Haxhi Shala.
Ai tha se Kurti e ka kuptuar se duhet të sillet sikurse kryeministrat tjerë.
Deputeti i Nismës, Haxhi Shala, tha se për bisedimet me Serbinë do të merret vendimi në parti nëse do ta mbështesin atë apo jo.
“Në parti ende s’kemi biseduar nëse do ta mbështesim në dialog. Ne s’duhet të veprojmë siç ka vepruar ky. Nëse është në interes nacional që të përkrahet, vendimi do të merret në organet e partisë. Por, s’e besoj që Nisma Socialdemokrate do të sillet sikurse partia e Kurtit për t’i parë të gjitha gjërat e zeza”, tha Haxhi Shala.