Shaip Kamberi e quan fashizëm idenë serbe për mbylljen e kufirit për shqiptarët e Luginës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmendi sot idenë për mbylljen e kufirit për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përkatësisht pikën kufitare Dheu i Bardhë – Konçul.
Vuçiqi tha se ideja është që vetëm shqiptarëve të mos u lejohet kalimi nga Serbia në Kosovë, porse sipas tij, nuk po i shkon ndërmend ta bëjë.
E deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, përmes një postimi në Facebook, këtë ide e ka quajtur fashizëm të pastër serb dhe se ajo nuk do të kalojë në asnjë rrethanë.
“Ideja për mbylljen e kufirit në Konçul është fashizëm i pastër. Nëse me të vërtetë ekziston ideja për mbylljen e kufirit në Konçul, atëherë mund ta paramendoj kush edhe është autori i saj. Por, është fakt që ‘nëpërmjet parandalimit të saj’ A. Vuçiq po e paraqet vetën si paqeruajtës i Ballkanit”, ka shkruar Kamberi.
Ai tha se me këtë do të merrte fund edhe nisma për “Open Balkan”, të cilën e kanë firmosur Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Kjo nismë e refuzuar nga Kosova, ka për synim sipas atyre që e kanë themeluar, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.
“Në thelb ato nuk do të ishin masa represive vetëm ndaj popullsisë civile, por edhe atak i drejtpërdrejtë ndaj idesë së Ballkanit të Hapur me të cilën Vuçiq po krenohet. Në fakt, kjo ide e mbylljes së kufirit në Konçul vetëm për shqiptarët, do të ishte edhe fundi i Open Balkan.
Shqiptarët me siguri nuk do të duartrokisnin këtë rast. As nën kërcënimin e cilës do fuqi nuk do të pajtoheshim me idenë që të na vendosin në ndonjë rezervat”, ka thënë Kamberi.
A i tha se në elitën qeverisëse serbe, janë të përditshme idetë që prodhojnë konflikte me fqinjë.
“Më duhet patjetër ta them që personi i cili e ka propozuar këtë ide duhet të jetë një budalla i pastër politik. Sepse ndërmarrja e masave represive ndaj popullsisë civile (shqiptare) që de fakto janë shtetas të Serbisë, është një masë fashiste të cilën as një budalla sikurse ai që e paska propozuar nuk do të ketë shans për ta aplikuar”, ka thënë Kamberi.
Vuçiqi foli për mundësinë e mbylljes së pikës kufitare Dheu i Bardhë – Konçul, si kundërmasë për vendimin që Qeveria e Kosovës ka marrë për reciprocitet për targat e veturave nga Serbia që hyjnë në Kosovë. Për këtë, serbët kanë bllokuar tash e tetë ditë rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.