Shaip Kamberi: Dëshirojmë bashkim me Republikën e Kosovës, por pa na copëtuar
Intervistë ekskluzive me kryetarin e komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi për Bot Sot në Prishtinë
Faza finale e dialogut me Serbinë po shihet si një udhëkryq i fundit i cili do t’i japë kahje të ardhmes së Preshevës, Bujanocit e e Medvegjës. Kështu ka thënë në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit. Kamberi ka deklaruar se, nëse Kosova përfundimisht merr qëndrim që të mos ecë rrugës së korrigjimit të kufijve, ajo e ka obligim që në bisedat me Serbinë, ta shtrojë punën e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës konform parimit të reciprocitetit.
“Bota Sot”: Kryetar, si është situata aktuale politike në Komunën e Bujanocit, por edhe në atë pjesë të lindje së Kosovës, në përgjithësi?
Shaip Kamberi: Pavarësisht një qetësie relative që po mbretëron, mungesës së çfarëdolloj incidenti, situate politike në Luginë të Preshevës është më e rënda që nga përfundimi i konfliktit të armatosur më 2001. Kjo vjen si pasojë e një indiference absolute të pushtetit në Beograd për të zgjidhur problemet reale dhe jetësore të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, por, edhe si një indiferencë e Bashkësisë ndërkombëtare me atë që po ndodhë në këtë rajon.
“Bota Sot”: Përpjekjet e politikës shqiptare atje, që nga marrëveshja e Konçulit për përmirësimin e jetës së qytetarëve nuk kanë pushuar, në forma nga më të ndryshmet. Ku realisht gjendet pozita e shqiptarit sot në Serbi, saktësisht në komunat Bujanoc, Medvegjë e Preshevë?
Shaip Kamberi: Keni të drejtë, në këtë periudhë kohore nga përfundimi i konfliktit, shqiptarët e kanë detyruar Serbinë që të nënshkruajë tre marrëveshje të veçanta për të përmirësuar gjendjen këtu ’Marrëveshja e Konçulit, marrëveshja për integrimin e shqiptarëve në jetën publike më 2009 dhe i fundit është Plani shtatë pikësh, i cili ishte një seri masash të shtuara që kishin për qëllim afirmimin e të drejtave të shqiptarëve. Fuqia politike e shqiptarëve ka qenë e mjaftueshme për të detyruar Serbinë që këto marrëveshje edhe t’i nënshkruajë, por gjendja ndryshon kur duhet bërë zbatimi i tyre, sepse, Serbia, gjithmonë gjen metoda dhe rrugë për t’iu shmangur detyrimeve që sjellin këto marrëveshje, pavarësisht faktit se në të tria këto marrëveshje bashkësia ndërkombëtare ka qenë asistuese. Si pasojë e shmangies së këtyre obligimeve, pozita e shqiptarëve mbetet akoma diskriminuese në shumë sfera të jetës shoqërore, pikërisht në shumë të drejta që bëjnë pjesë në korpusin e të drejtave kolektive.