Lajme

Sërish përplasje në Kuvend mes Hotit dhe Osmanit

Problemet në LDK po shfaqen edhe në Kuvend. Kjo ka ndodhur edhe sot, kur kryekuvendarja Vjosa Osmani është përplasur me kryeministrin Avdullah Hoti.

E “mollë sherri” mes tyre ishte rezoluta për dialogun me Serbinë.

Kryeministri Avdullah Hoti para deputetëve të Kuvendit tha se ka prezantuar platformën e Qeverisë për dialogun, parimet dhe vijat e kuqe.

Hoti tha se në seancën e kaluar ai ka mbajtur një fjalim ku ka treguar se cila është platforma e tij, por me këtë deklaratë nuk u pajtua kryekuvendarja Osmani.

Kjo e fundit tha se seanca e kaluar ishte thjesht debat, jo prezantim i platformës sepse ajo vjen e shkruar.

“Grupet parlamentare nuk formohen ad hoc, por ato i formojnë deputetët e Kuvendit dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, tha Osmani.

Kujtojmë se nga momenti që LDK ka shkarkuar Osmanin nga pozita e nënkryetares dhe në vend të saj e ka emëruar Hotin, këta të dy kanë shkëmbyer replika në vazhdimësi dhe kanë shpërfaqur mospajtime gjatë gjithë kohës.