Lajme

Policia arreston drejtorin i cili dyshohet se infektoi 139 perosona me koronavirus në Nish

Drejtori i një qendre shtetërore që kujdeset për të moshuarit ku pati përhapje të koronavirusit, është ndaluar nga policia serbe të hënën dhe është akuzuar për “krim të rëndë kundër shëndetit publik” dhe për “përhapje të sëmundjes”.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se burri, i cili sipas ligjit është identifikuar vetëm me iniciale, u akuzua pasi 139 persona u infektuan me koronavirus në qendrën që ndodhet në qytetin e Nishit.

As i ndaluar M.S. e as avokatët e tij nuk pranuan të komentojnë për ngjarjen.

Branisllav Tiodoroviq, epidemiolog përgjegjës për rajonin jugor të Serbisë, tha në një konferencë për media se “mungesa e disiplinës” dhe “lejimi i shëtitjeve jashtë dhe pranimi i vizitave” kanë çuar në përhapjen e virusit në qendrën për të moshuar, raporton Reuters.

Shumica e 135 personave që jetonin në atë qendër dhe katër nga stafi kanë shfaqur simptoma të lehta të koronavirusit, i cili deri më tani ka lënë të vdekur 85 persona në Serbi, transmeton Titulli.com.

Nga 20,985 persona të testuar në vend, 4,054 kanë rezultuar pozitivë, përfshirë edhe disa dhjetëra mjekë e infermierë.

Për të luftuar përhapjen e koronavirusit, Serbia ka ndërmarrë masa të ashpra, përfshirë edhe emergjencën shtetërore, mbylljen e kufijve dhe orën policore.