Lajme

Serbia paralajmëron aktivizimin e fushatës së çnjohjeve ndaj Kosovës

Ministria e Jashtme e Serbisë ka paralajmëruar se do të nisë fushatën e çnjohjeve ndaj Kosovës, në rast se Kosova nisë fushatën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Sekretari i Ministrisë së Jashtme të Serbisë, Nemanja Staroviq, për Tanjug, ka thënë se disa shtete janë të gatshme të tërheqin njohjet e Kosovës. Ai nuk dëshiron të tregojë emrat, duke thënë se po respekton marrëveshjen e Washingtonit.

Moratoriumi njëvjeçar i arritur me marrëveshjen e Washingtonit, ia ndalon Kosovës të aplikojë për anëtarësime në organizata ndërkombëtare apo njohje të reja, ndërsa Serbisë ia ndalon fushatën e çnjohjeve.

“Për shkak të respektimit të marrëveshjes së Washingtonit, në këtë moment nuk mund të flasim në mënyrë konkrete për numrin e shteteve që do ta tërhiqnin njohjen, por jemi të gatshëm, nëse Prishtina aktivizon një skenar të tillë”, ka thënë Staroviq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët kishte thënë se Prishtina mund t’ia dalë të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, por do të dështojë në tentimin për t’u anëtarësuar në Interpol e UNESCO.

“Albin Kurti ka treguar se nuk është i prirur për asnjë dialog dhe kërkim të zgjidhjeve të qëndrueshme kompromisi. Për shkak të gjithë kësaj, pritjet tona nuk janë të larta, por Beogradi zyrtar do të mbetet i përkushtuar ndaj dialogut dhe nuk do të devijojë nga tryeza e negociatave”, tha Staroviq.