Serbia ngre Ushtrinë e Policinë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar Ushtrinë e Serbisë dhe Policinë që të jenë në shkallën më të lartë të gatishmërisë luftarake, raporton televizioni shtetëror serb “RTS”.
“Presidenti i Serbisë, si komandant i përgjithshëm, ka urdhëruar që Forcat e Armatosura të Serbisë të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, gjegjësisht gatishmërinë deri në nivelin e përdorimit të forcës së armatosur”, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq.
Ai ka thënë se po “ngre në nivelin më të lartë të veprimit Ushtrinë e Serbisë, duke mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe duke mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, e duke parandaluar terrorin ndaj serbëve kudo që janë”.
Edhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratislav Gashiq, ka deklaruar se në përputhje me urdhrin ka urdhëruar gatishmërinë e plotë luftarake të njësive policore.
“Sipas urdhrit të presidentit dhe komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë dhe Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kam urdhëruar gatishmërinë e plotë luftarake të të gjitha njësive të Ministrisë së Punëve të Brendshme, xhandarmërinë dhe Policinë”, ka thënë Gashiq.
Vuçiq siç raportohet nga mediumet serbe nivelin e gatishmërisë e ka ngritur “shkaku i situatës në Kosovë”.
Sot është dita e 17-të që kur serbët në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Janë sulmuar gazetarët, policët, e madje sulme ka pasur edhe ndaj patrullave të EULEX-it e KFOR-it.