Serbia liron Radoiçiqin, ia ndalon shkuarjen në Kosovë
Gjykata e Lartë e Serbisë të mërkurën ka liruar Milan Radoiçiqin një ditë pasi e arrestoi. Atij i është konfiskuar pasaporta dhe i është ndaluar shkuarja në Kosovë.
Gjykata e Lartë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë që Radoiçiqit t’i caktohej masa e paraburgimit.
Për shkak të rrezikut të arratisjes, Prokuroria kishte kërkuar një muaj paraburgim për ish-nënkryetarin e Listës Serbe.
Por Gjykata në vendimin e saj ka thënë se pasi ka dëgjuar të pandehurin ka vendosur për lirimin e tij.
Përveç ndalimit të shkuarjes në Kosovë dhe konfiskimit të pasaportës, e cila ia pamundëson largimin nga Serbia, Radoiçiqi është i detyruar që me data 1 dhe 15 të çdo muaji të paraqitet para një stacioni policor në Beograd.
“I pandehuri është paralajmëruar se ndaj tij mund të caktohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet”, thuhet në njoftim.
Radoiçiqi u arrestua dje. Atij iu caktua masa e ndalimit prej 48-orësh, por u lirua ende pa i mbushur 24 orë të plota në qeli.
Ai u akuzua për veprat penale “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” si dhe me “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”. Radoiçiqi e ka pranuar se ka qenë organizatori kryesor i sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku vdiq rreshteri Afrim Bunjaku.
Radoiçiqi është në “listën e zezë” të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. I ndalohet hyrja dhe të bëjë biznes në SHBA. Ai u vendos në listë për shkak të lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar transnacional.
Institucionet në Kosovë kanë kërkuar ekstradimin e tij në mënyrë që ai të gjykohet nga drejtësia kosovare.