Lajme

Serbia ia dërgon kërkesën KFOR-it për trupat në Kosovë

Qeveria e Serbisë ka miratuar të enjten kërkesën ndaj misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për dërgimin e një numri të forcave të sigurisë në Kosovë.

Ky vendim është marrë pas mbledhjes që ka mbajtur Qeveria e Serbisë, në të cilën ka marrë pjesë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se kërkesa do të dërgohet në mbrëmjen e së enjtes në formë elektronike.

Ai ka bërë të ditur se ajo do t’i dorëzohet komandantit të KFOR-it të premten në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiq ka thënë se e ka të qartë që kërkesa do të refuzohet.

KFOR-i nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar kërkesën e Serbisë.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

Ai ka deklaruar po ashtu se SHBA-ja kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë./REL